Drejt dialogut ‘pa krye’ apo marrëveshjes së paqes?
Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është komplikuar deri në atë masë sa që më nuk ka asnjë pritje racionale nga të dyja palët se dialogu do të mund të determinohet nga ana e tyre, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.
Megjithatë, deklaratat e autoriteteve të Kosovës dhe të atyre të Serbisë, kohët e fundit, sipas tyre, janë komunikime strategjike nga ana e të dyja palëve, me tone të kujdesshme dhe paralajmërojnë një rikthim të mundshëm në tavolinën e bisedimeve.
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë, tashmë janë të vetëdijshme që duhet t’i rikthehen dialogut, por që ato janë të pafuqishme për t’i vënë vet kornizat e atij dialogu. Prandaj, sipas tij, të dyja palët tashmë janë duke pritur një nismë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që më pas të negociojnë mbi atë bazë e cila do t’iu prezantohet.
“Kjo është e rëndësishme për disa arsye. Arsyeja kryesore është se të dyja palët dëshirojnë që ta largojnë përgjegjësinë për ndonjë mossukses eventual dhe për kompromiset që do të duhet t’i bëjnë, sepse do të jetë shumë më e lehtë që të arsyetohen para qytetarëve të tyre përkatës për ato lëshime gjatë negociatave, të cilat duket se do të jenë të obligueshme”, theksoi Muhaxhiri.
Dialogu ‘pa krye’ nuk është në interesin e askujt
Të hënën, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të rikthehet në dialog ku do ta kërkojë “njohjen reciproke dhe përshpejtim të rrugës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, si dhe që në këtë proces, “Kosova është bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë aleatët e tjerë”.
Në një intervistë për shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, dy ditë më parë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka theksuar se në dialog nuk do të shkojë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai gjithashtu ka theksuar se ka “hequr dorë nga iniciativat e mëdha” dhe se është duke pritur “se çfarë do të propozohet”.
Por, a nënkupton kjo që palët në dialog nuk kanë idenë se për çfarë do të bisedohet në tavolinën e dialogut?
Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që deklaratat e të dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë, i sheh si taktikë dhe që nuk sqarojnë asgjë. Por, sipas tij, ato japin shenja se palët do të hyjnë në proces të dialogut, i cili, megjithatë, do të jetë i pa krye në qoftë se do të mungojë iniciativa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian. Siç thotë ai, dialogu pa krye, në këtë moment nuk është në interesin e askujt.
“Kështu që, ndoshta tani mund të caktohet si kornizë, të paktën rezultati përfundimtar që është njohja reciproke dhe ndonjë afat kohor. Se di si mund të duket ky proces, vërtetë është jashtëzakonisht e vështirë dhe shumë spekulative që të thuhet. Flitet për mundësinë që të ketë mbase edhe dy procese të ndryshme. Njëri i nivelit më shumë simbolik politik, të cilin e udhëheq SHBA-ja, i fokusuar edhe nga ana e ekonomisë për ta ndërtuar më shumë klimën, por edhe shtysën politike, insistimin politik që të shkohet drejt njohjes. Një proces tjetër, mbase ai i BE-së, ku më shumë do të flitej për detajet dhe specifikat e marrëveshjes. Pra, më teknik”, theksoi Maliqi.
Etapa e fundit e dialogut, më energjike
Analisti, Muhaxhiri thotë se tashmë është evidente që ditëve të fundit ka shenja që paralajmërojnë se etapa e fundit e dialogut do të bëhet shumë më energjike, si dhe që do të ketë investime të mëdha politike nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga palët në dialog, Kosova dhe Serbia.
“Duket që edhe kësaj radhe do të aplikohet ai parimi që ka qenë edhe në Rambuje dhe në Vjenë, që të ofrohet një orientim i gjerë, i përgjithshëm dhe që pastaj palët të diskutojnë mbi atë platformë, për kompromiset, të cilat do të mund t’i bëjnë. Pra, edhe për vijat e kuqe se deri ku do të mund të shkojnë”, tha Muhaxhiri.
Ndërkaq analisti Maliqi thekson që tashmë ekziston një dozë e dyshimit në opinion që një lloj marrëveshje tashmë ekziston ose që të paktën ekziston një marrëveshje për termat e referencës, mbi detajet e të cilave mund të diskutohet.
“Ndodhi e gjitha ajo që ndodhi këto muaj, me pretekstin që diçka e madhe duhet të ndodhte sivjet. Kështu që është racionale të pritet e ndoshta do të ishte absurde që të mos ndodhte asgjë. Atëherë është sfidë që të arsyetohet sidomos para votuesve në Kosovë se pse u ndërmor e gjithë kjo nismë nga partitë në Kosovë për ta rrëzuar qeverinë, në qoftë se dialogu nuk është askund edhe me qeverinë e re”, tha Maliqi.
Të dy njohësit e zhvillimeve politike vlerësuan që arritja e një marrëveshjeje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti është e vështirë, por sipas tyre, duke marrë parasysh natyrën energjike të administratës amerikane, nuk përjashtohet mundësia që kjo të arrihet sivjet.
Një rezultat i tillë, sipas tyre, do të varet edhe nga koordinimi i mundshëm i SHBA-së me Bashkimin Evropian dhe interesimi dhe përpjekjet e këtij të fundit që të arrihet një rezultat i tillë.
Sipas një hulumtimi të bërë së fundmi në Kosovë nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), i cili është publikuar të martën, rezulton që 92 për qind e shqiptarëve dhe 64 për qind e serbëve të Kosovës thonë që duhet të bëhet çdo përpjekje për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet dy vendeve. Ndërsa 66 për qind e shqiptarëve dhe 49 për qind e serbëve e mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.