DREJT HUMBJES SË MADHE
Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Fushata apo sfilata: Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka hyrë në rrethin e fundit shkaku se kishte filluar thuaja para tre muajsh. Aktivitetet përqendroheshin kryesisht në diasporë ku opozita kishte pësuar humbje brutale në zgjedhjet paraprake. Tash duket se kanë mbledhur mend dhe, si rezultat tehu goditës i VV-së në diasporë është topitur bukur shumë. LDK-ja ka deklaruar se ka të regjistruar mbi 40.000 votues që janë pjesë e kësaj partie kurse PDK-ja nuk përmend shifra konkrete por krahasuar me zgjedhjet e fundit duket se është forcuar shumë. AAK – NISMA nuk është se kanë shumë votues në diasporë. VV-ja shpreson se diaspora do të jetë hambar i votave andaj ka forcuar punën me diasporën, duke e shkelur edhe Ligjin për zgjedhje. Flitet se biznesmenë të afërt me VV-në po investojnë mjete të konsiderueshme për t’i sjell votuesit nga diaspora në Kosovë më datë 9 shkurt 2025. Por, përfundimisht diaspora më nuk është eldorado e votave për VV-në. Votat nga diaspora në rastin më të mirë për VV-në do të sillen kah 40 përqind e që do të ishte shembje e madhe krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Po brenda Kosovës, si po ecën fushata: Partitë opozitare kanë investuar shumë në hapjen e fushatës duke i dhënë më shumë rëndësi pamjes, se përmbajtjes së fushatës. PDK-ja mbushi sallat dhe hapësirat jashtë sallave në Prishtinë dhe Ferizaj sikur që edhe LDK-ja mbushi sallën në Prishtinë. AAK – NISMA mbushën sallën në Prishtinë kurse Koalicioni për Familjen e hapi fushatën në Arenën e Klan Kosovës me një kapacitet të reduktuar duke sjellë si “përforcim dhe përfitues” ambasadorin Wolker i cili në fushata ka shkuar sipas ofertës që i kanë bërë, thjesht, si lobist. Dihet mirë se lobistët nuk angazhohen për ju shkaku se i keni sytë e zi. Po, në rastin konkret WW nuk i siguron Koalicionit për Familje as edhe një votë të vetme. VV-ja e nisi fushatën në vendlindjen e Mimoza Kusarit, Arbërie Nagavcit, Oliver Ivanoviqit dhe Milan Radoiçiqit, në Gjakovën e Bajram Currit dhe Demë Ali Pozharit. Kjo, më së miri e vërteton thënien se: “historia në disa raste përsëritet si farsë…”. KM në ikje, Albin Kurti bëri dy gabime në hapa që janë në kundërshtim me normat elementare morale. I pari ishte kur shkoi në drekë te Ferdonije Qerkezi e cila përjetoi tragjedi personale dhe familjare sepse iu morën me dhunë nga forcat serbe i shoqi dhe katër djemtë. Nuk e di çka ka mundur t’i thotë Albin Kurti Ferdonije Qerkezit që t’i zbusë dhimbjet dhe ankthin përveç ndonjë premtimi që kurrë nuk do të përmbushet mësa ishte përmbushur ai i zgjedhjeve të vitit 2021. Atentati i dytë kundër normave të moralit elementar ishte përmendja e “zdravo” të Avdullah Hotit në takim me Vuçiqin në Washington në kohën kur Zdravo Mimoza ishte në krahun e djathtë të Kurtit. Abdullah Hoti këtë “zdravo” e kishte thënë botërisht kurse Zdravo Mimoza kishte biseduar ilegalisht, me urdhër të Kurtit, pa asnjë dyshim, në seriale me Simiqin dhe Radoiçiqin kundër veteranëve të luftës, UÇK-së dhe rritjes së pagës minimale. Zdravo Mimoza e dinë çka dhe sa herë ka biseduar me zemljakun dhe vëllaun – brat, Radoiçiqin. Por, i kanë rënë në fije se çdo bisedë të tillë po e arsyetojnë se është e montuar si luftë hibride. Të poshtër dhe të pafytyrë. Albin Kurti, si frontman i VV-së krejt strategjinë e fushatës po e ndërton mbi urrejtjen e atyre që e formuan UÇK-në, e udhëhoqën dhe fituan luftën, e shpallën pavarësinë, ndërtuan shtetin duke i siguruar legjitimitetin ndërkombëtar dhe siguruan paqen e që tani, ose janë dënuar nga Gjykata Speciale Raciste në Hagë, ose janë duke u gjykuar, si pengje politike. Këtë urrejtje po e shpërfaq në çdo takim, si pjesë e një strategjie mirë të menduar. Albin Kurti e di se pjesa më e madhe e votuesve të përbetuar që i ka janë kundër UÇK-së dhe me një të kaluar projugosllave prandaj ua ofronë menynë me vetëm një ushqim, urrejtjen kundër luftës dhe UÇK-së. Dhe më besoni se me këtë urrejtje fiton vota shkaku se votuesit me të kaluar jugosllave dhe serbe nuk kanë as identitet e as histori kombëtare. Ashtu janë edhe oportunistët dhe frikacakët që duke përkrahur Kurtin, duan ta rikrijojnë një identitet të munguar shkaku se kanë deficitit të patriotizmit, moralit elementar dhe njerëzores. Opozita po sillet sikur të ketë të bëjë me votues të emancipuar politikisht që voton sipas bindjes dhe duke u mbështetur në programet politike apo projektet ekonomike, sociale dhe zhvillimore. Ma gjeni sot një ministër të qeverisë Kurti që ka një të kaluar kombëtare hiç ata që patriotizmin e kanë të trashëguar e që e kanë keqpërdorur brutalisht për vota dhe pushtet. Opozita nuk mund dhe nuk duhet të sillet si qingj në mesin e ujqve dhe hijenave. Kjo është rregull elementar i mbijetesës fizike dhe politike. Albin Kurti i ka shpërfillur të gjithë ata që e përkrahën dhe e sollën në pushtet, mos të them se i ka tradhëtuar pabesisht sikur që po sillet me mediat kryesore që dje pamëshirshëm sulmonin liderët e luftës dhe brutalisht ia shtronin rrugën me dafina Kurtit shkallëve drejt majave të pushtetit. Këto media kanë dashur ndryshimin, ja ku e kanë.
Ka ministra dhe zv/ministra të Kurtit që para organeve serbe kanë dhënë deklarata para të cilave do të turpërohej edhe vet Nazim Bllaca. Albin Kurti po e forcon fjalorin e urrejtjes dhe përçarjes kundër vlerave kombëtare, në emër të kombëtares që në VV përjashtuar pak rasteve as që ekziston. Flamuri dhe Hymni Kombëtar janë perde tymi dhe zhurmues për votuesit shkaku se kjo garniturë sunduese nuk ka asgjë të përbashkët as me Flamurin Kombëtar e as me Shqipërinë. Përveç urrejtjes dhebglorifikimit të antikombëtares dhe Muzës së hajdutëve, Babushkës Mihali dhe anarkistëve të Tiranës. Jam i sigurt se Albin Kurti, nëse mbijeton 9 shkurtin përmes një koalicioni sepse vet, bashkë me Listen Serbe dhe pakicat joserbe nuk do të ketë mundësi ta formojë qeverinë, do të ngjajë në një tullumbace të liruar nga ajri, do të zbutet e të bëhet Orhan Pambuk (sipas akademikes Nagavci), sidomos me ndërkombëtarët. Albini po përballet me dy probleme kryesore, i pari është 20 janari kur ikën Bajdeni e po vjen Trampi dhe e dyta se ekziston rreziku objektiv që pas 9 shkurtit të ngelë në opozitë ku do të fillonin vuajtjet e Tantalit për Kurti. Nëse në ndërkohë nuk do të ketë zhvillime të paparashikuara.
Rezultatet e projektuara: Rritjen më të madhe do ta ketë LDK-ja sepse edhe rënien e kishte më të madhe. LDK-ja nëse mbetet nën 20 për qind do të jetë humbëse. PDK-ja mund të rritet 3 – 5 për qind, AAK- NISMA nuk mbetet nën 10 për qind, maksimumi shkon në 13 për qind. Koalicioni për Familjen do të hecë në teh të shpatës WW, vetëm iu humbë vota prandaj mjafton t’ia paguajnë hotelin, biletën e aeroplanit dhe mëditjet, nëse duan ra përmbushin synimin. Për aq sa do të rriten subjektet garuese nga opozita, për aq do të shembet VV-ja. Do të jenë me interes të veçantë koalicionet e mundshme. Herën tjetër.