“Drejtësi për babin”, “Prokurori mos fle”, kërkohet drejtësi për Astrit Deharin
Familjarë, qytetarë e aktivistë të premten kanë protestuar para Prokurorisë Speciale duke kërkuar drejtësi për Astrit Deahrin.
Më 5 nëntor bëhen shtatë vjet nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, në burgun e Prizrenit, vdekje e cila nuk është zbardhur ende.
“Prokurori mos fle, heto rastin”, “7 vjet për Astritin janë shumë”, “Ne jemi Astrita”…, ishin disa nga pankartat që mbajtën në duar protestuesit.
Në këtë aksion morën pjesë e prindërit, bashkëshortja e vajzat e tij, që në duar mbante një mbishkrim “Drejtësi për babin”.
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka theksuar se Astriti ka vdekur në rrethana të pasqaruara.
Sipas tij, dëshmitarët po mbahen të fshehtë nga Prokuroria e cila nuk po jep asnjë sqarim lidhje me këtë rast.
Ai ka thënë se edhe Instituti i Zvicrës ka dëshmuar që Astriti nuk ka bërë vetëvrasje.
Babai i Astrit, Avni Dehari, i cili është edhe deputet i Kuvendit i Kosovës, ka thënë se tashmë po bëhen 7 vjet që po kërkojnë drejtësi, duke shtuar se edhe arrestimi i tij ishte inskenim për qëllime politike.
Ai ka pohuar se drejtësia është peng në duart e prokurorisë, raporton EO.