‘Drejtësia 2020’e përkushtuar për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Në kuadër të agjendës “Drejtësia 2020” është mbajtur takimi i radhës i krerëve të sistemit të drejtësisë, përkatësisht ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryesuesit të Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi si dhe kryesuesit të Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesve të Ambasadës së ShBA-ve.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, kryetarët e gjykatave ku ndodhen rastet e shënjestruara, si dhe kordinatorët e Prokurorisë dhe Gjyqësorit për rastet këto raste.
Temë e këtij takimi ishte vlerësimi i progresit në zgjidhjen e lëndëve të shënjestëruara që ndërlidhen me liberalizimin e vizave si dhe inkurajimi për rritjen e efikasitetit në trajtimin e këtyre lëndëve.
“Rritja e efikasitetit në trajtimin e rasteve të shënjestruara, duhet të vazhdojë me intensistetin e njëjtë, në mënyrë që luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të jetë i matshëm dhe në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit si dhe arritjes së kredencialeve të plota në procesin e liberalizimit të vizave” u tha në takimin e Bordit të “Drejtësisë 2020”.
Në kuadër të kësaj agjende që synon rritjen e efikasitetit brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial për fuqizimin e sundimit të ligjit, në funksion edhe të proceseve që ndërlidhen me liberalizimin e vizave, krerët e sistemit të drejtësisë kanë konfirmuar përkushtimin për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioritet themelor i institucioneve dhe organeve të pavarura të zbatimit të ligjit. Qasja kundër veprave penale të kësaj natyre do vazhdojë të jetë në qendër të veprimtarisë së institucioneve të sistemit të drejtësisë, gjë që do të reflektohet në fuqizimin e sundimit të ligjit, rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe në proceset tjera të rëndësishme për Republikën e Kosovës siç është liberalizimi i vizave”, vlerësuan krerët e agjendës “Drejtësia 2020”.
Gjatë takimit, bartësit e institucioneve të sistemit të drejtësisë vendosën që gjatë muajit Shkurt të prezantojnë një raport të përgjithshëm mbi progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes së cilit vendet e Bashkimit Evropian do të njoftohen mbi ecurinë dhe progresin e arritur, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve të shënjestruara.
/Epoka e re/