Drejtësia me qytetarin në qendër – për të shkallëzuar investimin në atë që funksionon për ta realizuar OZhQ-në 16.3 në Kosovë

19 shtator 2024 | 19:20

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me mbështetje të Projektit të USAID-it për Drejtësi ka organizuar të enjten tryezë diskutimi lidhur me sfidat që rrjedhin nga ndarja e pamjaftueshme buxhetore për sistemin gjyqësor, prokuroria dhe ndihmën juridike falas, ku edhe ka publikuar raportin me titull “Drejtësia me qytetarin në qendër – për të shkallëzuar investimin në atë që funksionon për ta realizuar OZhQ-në 16.3 në Kosovë”.

Në këtë tryezë diskutimi morën pjesë përfaqësues të Misionit të USAID-it në Kosovë, Projektit të USAID-it për Drejtësi, përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, nga Ministria e Drejtësisë, Oda e Ndërmjetësuesve, avokatë, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Hapja e tryezës u bë nga drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj dhe nga drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Noel Bauer.

Miftaraj tha se beson që ky raport do të shërbejë për institucionet e drejtësisë që politikat e tyre të përkthehen në shërbime më të mira për qytetarët.

Kurse, Bauer tha se para se të kërkojmë një sistem me të mirë, duhet të shohim nëse ka bazën për të avancuar, e që është plotësimi i kërkesave buxhetore. Rrjedhimisht, sipas tij, sistemi i drejtësisë nuk mund të përmbushë pritjet e publikut dhe qytetarëve të saj përderisa nuk përkrahet me buxhet.

Raporti u prezantua nga Hulumtuesi i Lartë në IKD, Gzim Shala, i cili tregoi se nga viti 2021 deri në vitin 2024, buxheti për sistemin e drejtësisë është rritur vazhdimisht, megjithatë rritja e përgjithshme e shpenzimeve të Qeverisë sipas ligjeve për ndarjen e buxhetit nuk është pasqyruar proporcionalisht në sistemin e drejtësisë. Sipas këtij raporti, buxheti vjetor për kokë banori, për gjyqësorin, është vetëm 22,90€.

Po ashtu, raporti tregon edhe vazhdimësinë e rritjes së numrit të lëndëve të vjetra në gjykata që nga viti 2018 e tutje. Në raport thuhet se përderisa në vitin 2021 kanë qenë gjithsej 85,087 lëndë të pazgjidhura që janë bartur në vitin pasardhës, viti 2022 ka shënuar rekord për sa i përket rritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura që janë bartur vit pas viti, me 99,407 lëndë të pazgjidhura. Prandaj, rritja e numrit të lëndëve të pranuara ka pasur ndikimin më të madh, kurse në vitin 2023 ky numër është rritur në 112623.

Për sa i përket Agjencisë së Ndihmës Juridike Falas, nga viti 2021 deri në vitin 2023, rritja ka qenë pothuajse e papërfillshme. Rritja më e konsiderueshme e buxhetit për këtë agjenci ka ndodhur në vitin 2024, duke e paraqitur një rritje prej 21,08% krahasuar me një vit më parë. Në krahasim me numrin e banorëve, buxheti i ANJF-së për vitin 2024 është vetëm 33 cent për person.

Kurse, ndërmjetësimi si shërbim i lidhjes së parë del të jetë tejet i rëndësishëm, për shkak të mundësisë për së zgjidhjes së rasteve në mënyrë më adekuate. Gjatë vitit 2023, për procedurë të ndërmjetësimit janë referuar gjithsej 10,864 lëndë, 8,925 nga të cilat janë zgjidhur, ndërsa lëndët e tjera kanë mbetur në procedurë. Prej tyre, me vetinicim janë vetëm 2,034 rast, kurse gjykatat i kanë pranuar 44,575 lëndë civile kontestimore, që tregon se qytetarët u janë drejtuar gjykatave për afro 22 herë më shumë se sa që kanë iniciuar procedura të ndërmjetësimit.

Lulzim Beqiri nga Ministria e Drejtësisë, tha se raportet si ky janë shumë të rëndësishme, sidomos kur kanë qytetarin në fokus për çdo politikë që hartohet, por edhe zbatohet nga institucionet vendore. Mes tjerash ai tha se si Ministri, i kanë kushtuar rëndësi zgjidhjes alternative të kontesteve siç është ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, duke shtuar se MD-ja është në rrugën e duhur që ndihmojnë zhvillimin e këtyre mekanizmave përmes mbështetjes administrative e logjistike. Kurse, tha se është Ministri i Financave ai që e thotë fjalën e vet se sa duhet të mbështetet një aktivitet në kuadër të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, se a duhet apo sa duhet të mbështetet një politikë në kuadër të kësaj Strategjie.

Artan Abazi kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, njëherësh anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se pengesat e paraqitura në sistemin gjyqësor, janë për shkak të mungesës së buxhetit adekuat. Sipas tij, për vitin 2024, KGJK-ja për të gjitha kategoritë buxhetore në mënyrë të arsyetuar ka kërkuar që t’i lejohet buxhet në vlerë prej 41 milionë e 806 mijë euro, mirëpo nuk është dhënë ky buxhet i kërkuar, por i është aprovuar buxheti në vlerë prej 35 milionë e 806 mijë euro. Abazi po ashtu theksoi se numri i madh i lëndëve që u përmend që rrjedh nga gjykatat janë dalë nga kontratat kolektive dhe se këto kontrata kolektive po paraqesin problem në sistemin gjyqësor, pasi që po e rrisin numrin e lëndëve dhe se edhe efikasiteti del më i zvogëluar.

Kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve, Ganimete Xhelili theksoi se 90% e rasteve që shkojnë përmes ndërmjetësimit, zgjidhen. Po ashtu, ajo shtoi se është i domosdoshëm koordinimi institucional për të fuqizuar, siç tha, procesin e ndërmjetësimit, në mënyrë që të referohen sa më shumë raste në ndërmjetësim dhe “lehtësohet” gjyqësori në punë.

Ndërkaq, koordinatorja e Qendrës për Ndihmë Juridike Falas në IKD, Arrita Rezniqi foli kryesisht rreth rëndësisë që ka ndihma juridike falas. Ajo shprehi shqetësimin në lidhje me gjetjen e raportit se në buxhetin për Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, ndahen rreth 33 centë për kokë banori. Rezniqi theksoi se financimi për një qasje në drejtësi duhet të bëhet për të gjithë qytetarët pavarësisht situatës socio-ekonomike, por sipas raportit kjo fatkeqësisht është larg asaj që duhet të jetë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pas hulumtimit të plotë mbi…