Drejtësia për Astritin duhet të ndodhë! Ajo nuk mund të vonohet më gjatë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kujtuar Astrit Deharin në 7 vjetorin e vdekjes së tij.
Haxhiu në një postim në “Facebook”, ka shkruar se hetime të ndryshme janë zhvilluar, sikurse edhe përpjekjet për ta fshehur këtë krim.
“Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka shtuar se drejtësia për Astritin duhet të ndodhë, dhe nuk mund të vonohet më gjatë.
Postimi i plotë i saj:
Krimi ndaj Astrit Deharit, përfshinë një sërë veprimesh për të cilat ende askush nuk dha përgjegjësi.
I paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, për 68 ditë në burg, Astrit Dehari nuk u mor asnjëherë në pyetje.
Në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor, Astrit Dehari u vra në rrethana të sqaruara nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, por të pa sqaruara nga aturoitetet e drejtësisë.
Siҫ dihet, një sërë anomalish institucionale vërehen menjëherë pas gjetjes së trupit të Astrit Deharit, që nga vonesa e ndihmës mjekësore, tek nxitimi i deklarimeve të Kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, e po ashtu Kryeprokurorit i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.
Njëri konstatonte se Astriti vdiq nga mbi doza e medikamenteve, kurse tjetri e cilësoi si vetëvrasje ende pa nisur asnjë hetim.
Hetime të ndryshme janë zhvilluar, sikurse edhe përpjekjet për ta fshehur këtë krim. Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast.
Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar.
Drejtësia për Astritin duhet të ndodhë! Ajo nuk mund të vonohet më gjatë.