Drejtoresha e arsimit në Prishtinë: Arsimi jocilësor i ka shtyrë shumë familje ta lëshojnë Kosovën
Statistikat e fundit të maturës shtetërore kanë treguar një rënie drastike të pjesëmarrësve në këtë provim. Në këto statistika është evidentuar edhe një rënie e numrit të nxënësve.
Shqetësuese për drejtoreshën e arsimit në Komunë e Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu është niveli i kalueshmërisë së testit të maturës, i cili lidhet me rezultate që janë në shkolla dhe institucione arsimore.
Sipas Lushaku-Sadriut, arsimi jo cilësorë është arsyeja pse i ka shtyrë shumë familje që të mendojnë të lëshojnë Kosovën për t’i edukuar fëmijët në një mënyrë më të duhur. Ajo mendon se përmirësimi i arsimit në vendin tonë, do ta ndal në mënyrë indirekte migracionin.
Drejtoresha e arsimit në Komunë e Prishtinës, Jehona Lushaku- Sadriu ka thënë për KosovaPress, se sipas testeve ndërkombëtare, kurrikulat janë të ngarkuara, nxënësit kalojnë shumë pak kohë në shkolla dhe mësimdhënia nuk është aq profesionale për një orar kaq të shkurtuar.
Për këtë arsye që nga 1 shtatori, Komuna e Prishtinës do të fillojë mësimin tërë ditorë në pesë shkolla të Prishtinës.
Për zhvillimin e mësimit ditorë janë investuar rreth 4 milionë euro.
“Shqetësuese është niveli i kalueshmërisë së testit të maturës, i cili është diçka që lidhet me rezultate që kemi ne në shkolla dhe institucione arsimore… Testet ndërkombëtare kanë thënë se kurrikulat janë të ngarkuara, nxënësit kalojnë shumë pak kohë në shkolla dhe mësimdhënia nuk është aq profesionale për një orar kaq të shkurtuar të një kurrikule kaq të ngarkuar, kjo do të sjell nevojën që ne të organizojmë mësimin tërë ditorë për ciklin e ulët dhe Komuna e Prishtinës do të marrë një sërë masash, që nga 1 shtatori pesë shkolla fillore ta organizojmë mësimin tërë ditorë…Kemi një koncentrim të investimeve tona në këto shkolla dhe është diku rreth 3 deri në 4 milionë euro… Jemi të fundit në botë për nga rangimet, ne mund të rrimë edhe 30 vite kështu por jemi të fundit, më poshtë nuk kemi ku të shkojmë, ndërsa reformat të paktën janë një përpjekje për t’u përmirësuar dhe këtë duhet ta bëjmë”, ka thënë ajo.
Rreth teksteve shkollore, drejtoresha është shprehur se janë shumë të ngarkuara por jo të dobëta.
Sipas saj, mënyra e duhur është mësimi të realizohet me orë mësimore dhe aktivitete që të jenë më të kapshme për nxënësit.
“Tekstet shkollore janë shumë të ngarkuara, ato nuk domethënë që janë të dobëta, janë të mira përgjithësisht, ka përjashtime të njësive që duhet përmirësim por është korrikul e ngarkuar nëse shtrihet përgjatë gjithë ditës mund të realizohet në mënyrë perfektë dhe pastaj edhe për nxënësin është shumë më e lehtë kuptimi, leximi, mendimi kritik…Kur bëhen në mënyrë teknike më të lehta, që nuk e kanë presion e kohës që ato të realizojnë brenda një ore gjuhë shqipe por kur i ka në vend se me i pas 5 orë gjuhë shqipe, kur i ka tetë orë dhe tre orë komplementare që jep mundësi mësuesit me realizua edhe aktivitete shumë më atraktive shtesë atëherë është shumë më e lehtë për nxënësin… Është zbulim dhe praktikë që e bëjnë shtete ndërkombëtare”, ka shtuar ajo.
Ajo kërkon nga Qeveria e Kosovës mbështetje, financiare, materiale, investime në proceset e rëndësishme dhe përkrahje morale të reformave që e dërgojnë shtetin përpara, pavarësisht partisë politike.
Sipas saj, arsimi nuk duhet të ndikohet nga polarizimet ndërmjet partive politike, pasi që arsimi është shtylla kryesore e dijës e fëmijëve.
“Migracioni është një fenomen shqetësues për vendin tonë, dhe këtu ndikon edhe arsimi. Arsimi jocilësorë i ka shtyrë shumë familje që të mendojnë të shkojnë jashtë dhe për t’i edukuar fëmijët. Mendoj që me përmirësimin e arsimit në vendin tonë, ne do ta ndalim në mënyrë indirekte migracionin… Arsimi është prioritet nacional dhe duhet të jetë i depolitizuar të mos ndikohet nga polarizimet ndërmjet partive politike. Kur bëhet fjalë për fëmijët e vegjël, për fëmijët e këtij vendi duhet të zhvishemi nga interesat partiake, jemi duke fol për një të drejtë sublime të secilit fëmijë që të ketë një edukim të pandikuar politikisht”, është shprehur Lushkaku-Sadriu.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, në vitin 2014, numri i nxënësve në testin e maturës ka qenë mbi 27 mijë, ndërkaq në vitin 2024, kishte mbi 20 mijë pjesëmarrës./KP