Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare e Kosovës takohet me atë të Kroacisë
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Blerina Rogova Gaxha, ka takuar dje drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë, Ivanka Stričević.
Në takimin e tyre të mbajtur në Zagreb, ato kanë diskutuar për projekte, iniciativa dhe tema me interes të përbashkët për bibliotekat.
Drejtoresha e BKK-së ka njoftuar se ky takim krijon mundësinë për ta forcuar partneritetin ndërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë: “Është misioni ynë ta avancojmë kauzën e Bibliotekës sonë Kombëtare, duke punuar më mirë së bashku në shkëmbim të përvojave dhe duke arritur më shumë sesa mund të bëjmë vetëm”.
Ndërsa Stričević tha se “ne jemi entuziastë për mundësinë e bashkëpunimeve në të ardhmen dhe besojmë se vizita juaj do të jetë një hap kyç për thellimin e bashkëpunimit tonë”.