
Drejtoresha e BKK-së takohet me udhëheqës të Bibliotekës Kombëtare të Francës
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, me ftesë të Bibliotekës Kombëtare të Francës, është takuar në Paris me përfaqësues të këtij institucioni të lartë kulturor, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve kulturore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në takim morën pjesë Jean-Francois Roseau, drejtor për marrëdhënie ndërkombëtare i Bibliotekës Kombëtare të Francës, Helene Berges, zyrtare për çështje evropiane nga BNF, dhe Frederique Duversin, drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris.
Ky takim midis udhëheqësve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe të Bibliotekës Kombëtare të Francës shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve institucionale në fushën e bibliotekarisë.
Gjatë këtij takimi palët diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit kulturor, shkëmbimin e praktikave të mira në menaxhimin bibliotekar, si dhe organizimin e projekteve të përbashkëta.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës mbetet e përkushtuar për zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare për ta përmirësuar qasjen në dijen dhe kulturën botërore.