Drejtorët e Bordit të ujësjellësit të Prishtinës me mesazhe të qarta për konsumatorët
Bordi i Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. në përbërje të Betim Berisha, kryesues, dhe Bajram Jashari, anëtar, së bashku me kryeshefin ekzekutiv të kompanisë Ilir Abdullahu, zëvendëskryeshefin Kujtim Xhelili dhe zyrtarin kryesor financiar Sokol Duraku, kanë vizituar Fabrikën e Trajtimit të Ujit në Shkabaj.
Drejtorët e bordit të ujësjellësit të Prishtinës u njoftuan nga afër me fabrikën më të re të ujit të pijshëm në Republikën e Kosovës, gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës aktuale të rrjetit të ujësjellësit, ujërave të zeza, furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm për komunat në të cilat ofrojmë shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit, bashkërendimin e investimeve, projektet specifike zhvillimore, sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, që të gjitha në kontekst të zgjerimit të rrjetit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve ndaj konsumatorëve të tetë komunave.
Ndër të tjerash, ata u zotuan se me të gjitha kapacitetet e tyre profesionale do të jenë mbështetësit kryesorë në realizimin e objektivave të kompanisë, që ndërlidhen direkt me përmirësimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, duke filluar nga furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerë dhe cilësia e ujit bazuar në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kyçja e vendbanimeve të reja në sistem ujësjellësi dhe kanalizimi, mënyra të lehta procesuese në pagesat e shërbimeve, intervenime të shpejta në sistemin e rrjetit të ujësjellësit, vendosje e infrastrukturës së re të ujësjellësit, etj.
Mesazhi i tyre drejtuar konsumatorëve ishte mjaft i qartë, që ata të paguajnë rregullisht faturat e ujësjellësit dhe kanalizimit, ta shpenzojnë racionalisht ujin e pijshëm dhe mos ta shpërdorin.
Bordi i Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” ka garantuar shërbime më cilësore për konsumatorët.
/Epoka e re/