Drejtorët komunalë të arsimit kërkojnë që mësimdhënësit të vaksinohen

25 korrik 2021 | 15:29

Kolegjiumi i Drejtorëve Komunalë të Arsimit në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), duke pasur parasysh rrezikun që mund të paraqet përkeqësimi eventual i situatës me përhapjen e virusit Covid-19, ka bërë thirrje që të gjithë mësimdhënësit që do të përfshihen në procesin mësimor për vitin e ri shkollor 2021/22 të vaksinohen.

Sipas tyre, vaksinimi gjithëpërfshirës do të siguronte fillim dhe mbarëvajtje të sigurt të procesit mësimor dhe do të mundësonte ndjekjen e procesit shkollor në kushte më normale për nxënësit.

“Duke pasur parasysh që mësimdhënia dhe mësimnxënia janë shumë të rëndësishme të zhvillohet pa pengesat që kemi pasur në situatat kur gjendja me pandemi ka qenë më serioze, vaksinimi do të mundësonte që fillimi dhe vazhdimi i vitit shkollor të zhvillohet në kushte më të volitshme si për mësimdhënësit ashtu edhe për nxënësit”, është thënë në komunikatën për media të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Kolegjiumi i Drejtorëve Komunalë të Arsimit në kuadër të AKK-së ka bërë thirrje për mobilizim në kohën e mbetur para fillimit të vitit të ri shkollor të të gjithë personelit të përfshirë në arsim, që të marrin vaksinat. “Shpresojmë që numri i mësimdhënësve të vaksinuar të rritet, në mënyrë që të sigurohet mospërhapja e virusit. Bëjmë thirrje që në numër sa më të madh punëtorët arsimorë të vaksinohen”, është theksuar ndër të tjera në komunikatën e AKK-së.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK) ka regjistruar të dielën 25 raste të infektimit me koronavirus pas testimit të 2,102 mostrave.

Përgjatë 24 orëve të fundit, nuk është regjistruar asnjë viktimë.

IKShPK-ja ka njoftuar se më 25 korrik është shëruar një pacientë nga sëmundja Covid-19, ndërsa raste aktive janë 161.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 108,017 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,265 kanë vdekur.

Në Kosovë tashmë ka nisur programi i vaksinimit masiv kundër koronavirusit.

Në këtë vend ka vaksina të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeenca.

Në 24 orët e fundit ndonjërën nga këto vaksina kanë marrë 1,149 persona.

Numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 108,700, ndërsa shifra totale e vaksinave të dhëna është 357,920.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë së Kroacisë Vili Beros, i shoqëruar edhe…