Drejtori ekzekutiv i OpenAI shprehet ‘optimist’ për koordinimin global mbi inteligjencën artificiale
Drejtori ekzekutiv i OpenAI, krijuesit të ChatGPT, Sam Altman sot deklaroi se një turne nëpër kryeqytetet e ndryshme e ka bërë atë “mjaft optimist” në lidhje me perspektivat për koordinimin global mbi inteligjencën artificiale.
Fytyra publike e startup-it të mbështetur nga Microsoft, ka qenë në një turne “të stuhishëm” duke kërkuar të përfitojë nga interesi për inteligjencën artificiale gjeneruese dhe të ushtrojë ndikim në rregullimin e teknologjisë në zhvillim.
“Këtë udhëtim e fillova me skepticizëm sepse nuk mendoja se do të ishte e mundshme që në një afat të shkurtër të filloj një bashkëpunim global për të reduktuar rrezikun ekzistencial, por tani po e përfundoj udhëtimin duke u ndjerë mjaft optimist se mund ta bëjmë atë”, tha Altman në një takim me studentët në Tokio, raporton Reuters, transmeton Telegrafi
Rregullatorët po përpiqen të përshtatin rregullat ekzistuese dhe të krijojnë udhëzime të reja për të qeverisur përdorimin e inteligjencës artificiale gjeneruese, e cila mund të krijojë tekst dhe imazhe dhe po ngjall ngazëllim dhe frikë për potencialin e saj për të riformuar një gamë të gjerë industrish.
Bashkimi Evropian në anën tjetër është duke përparuar tutje me draftin e saj mbi Aktin e Inteligjencës Artificiale, e që pritet të hyj në fuqi gjatë këtij viti, përderisa SHBA-ja po shkon drejtë përshtatjes së ligjeve ekzistuese të inteligjencës artificiale dhe nuk mendon krijimin e legjislaturave të reja.
Altman vizitoi Japoninë në prill, duke u takuar me kryeministrin Fumio Kishida dhe tha se po konsideronte hapjen e një zyre në shtetin aziatik.