Drejtori Ekzekutiv i PDK-së, Naim Ismajli pyet Pecin: Ku je në këtë kohë krize kur Prevalla është përfshirë nga flakët?
Drejtori Ekzekutiv i PDK-së, Naim Ismajli, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka reaguar rreth heshtjes së ministrit të Bujqësisë, Faton Peci. ismajli ka pyetur se ku është ministri në këtë kohë krize, kur Prevalla është përfshirë nga flakët.
“Ku është, vallë, ministri Peci në këtë kohë krize kur Prevalla është përfshirë nga flakët? Një zonë me të cilën krenohet Kosova është duke u shkatërruar nga zjarri, dhe Peci nuk po dëgjohet. A ndoshta ai është në Ujman duke u freskuar?”, ka pyetur Ismaili.
Postimi i plotë i tij:
“Ndërsa pyjet e Prevallës po digjen dhe po shkatërrohen qindra hektarë, heshtja e Pecit vazhdon.
Ku është, vallë, ministri Peci në këtë kohë krize kur Prevalla është përfshirë nga flakët? Një zonë me të cilën krenohet Kosova është duke u shkatërruar nga zjarri, dhe Peci nuk po dëgjohet. A ndoshta ai është në Ujman duke u freskuar?
Sipas Ligjit Nr. 8/L-137 për Pyjet, nën nene 39 dhe 40, menaxhimi dhe mbrojtja e pyjeve janë obligim i Agjencisë së Pyjeve që bie nën përgjegjësinë e Ministrit Peci. Pse nuk po ushtrohen detyrat dhe përgjegjësitë? Pse nuk po koordinohen institucionet përkatëse?
Deri në vitin 2021, ishin angazhuar 300 punëtorë për shuarjen e zjarreve me të gjitha pajisjet dhe të trajnuar, dhe kishte bashkëpunim me Agjencinë e Emergjencave. Sot, qeveria Kurti është krenare për emërimet e bëra përmes Superpunës, duke punësuar militantë të VV-së në administratën publike, pa nevojë dhe në kurriz të taksapaguesve, ndërsa punëtorët e trajnuar për fikjen e zjarreve janë përjashtuar nga kjo qeveri.
Nuk ka koordinim të punëve mes institucioneve për veprime konkrete në shuarjen e zjarreve, dhe nuk kemi as komunikime nga institucionet kompetente. Për më tepër, ku është ministri Peci, i cili para fermerëve, para korrjes së fryteve, dilte me deklarata dhe krenohej për rezultatet e fermerëve, duke i përvetësuar si arritje personale?
Sot, ai është strukur diku dhe nuk po dëgjohet, ndoshta në Ujman duke u freskuar me militantë të VV-së. Kjo është e papranueshme dhe tregon injorancë dhe papërgjegjshmëri totale nga ana e kësaj qeverie. Liderët janë ata që marrin vendime në kohë të vështira, jo ata që krenohe për rezultatet e të tjerëve.”