Drejtori i AAC-së: Kontrolli i hapësirës ajrore duhet të bëhet nga institucionet vendore

10 prill 2019 | 17:53

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Eset Berisha me bashkëpunëtorë ka raportuar të mërkurën para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Kosovës, rreth raportit vjetor të punës së AAC-së për vitin 2018.

Fillimisht, anëtarët e këtij komisioni e kanë uruar Berishën për marrjen e mandatit në krye të AAC-së dhe e kanë përgëzuar për punën e mirë ndër vite të këtij institucioni.

Ndër pyetjet kryesore dhe sqarimet shtesë që kanë kërkuar anëtarët e komisionit në fjalë kishin të bënin me procesin e normalizimit të hapësirës së ultë dhe lartë ajrore të Republikës së Kosovës.

Drejtori Berisha, i ka siguruar të pranishmit se AAC-ja është duke i dhënë përkrahjen e plotë dhe pa rezervë këtij procesi.

Në këtë kontekst, ai ka kërkuar nga të pranishmit që të ketë edhe përkrahje politike dhe buxhetore për të mundësuar përmbushjen e kushteve teknike që do të mundësojnë përmbylljen e këtij procesi.

Berisha ka theksuar se hapësira ajrore lidhet ngushtë me sovranitetin e një shteti, pasi njëjtë sikurse edhe territori tokësor dhe ujor është pjesë përbërëse e territorit të një shteti dhe nuk ka se si të trajtohet ndryshe.

“Prandaj, kontrolli i hapësirës ajrore duhet të bëhet nga institucionet vendore të cilat me një përkrahje të duhur buxhetore dhe ndërveprim ndërinstitucional bashkë me faktorin ndërkombëtarë, do të arrijnë të menaxhojnë si hapësirën e ultë ashtu edhe atë të lartë ajrore. Sipas informacioneve tona, rezulton se vitin e kaluar ka pasur një numër mjaft të madh të mbikalimeve të territorit tonë, të shprehur në shifra arrijnë shumën prej 7 milionë euro. Këto të hyra janë realizuar nga ‘Hungarocontrol’ sipas marrëveshjes së vitit 2013 në mes NATO dhe Hungarisë”, ka thënë Berisha.

Në fund, raporti vjetor i punës së AAC-së për vitin 2018 është miratuar me votë unanime nga të gjithë anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

/Epoka e re/

Image result for eset berisha

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj…