Drejtori i ATK-së: Kjo gjendje s’na mundëson ta realizojmë planifikimin

21 mars 2020 | 08:27

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) që nga 12 marsi ka ndalur të gjitha aktivitet në terren pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një intervistë për Ekonomia Online tha se pasi vendi është në një situatë të jashtëzakonshme, po funksionojnë me kapacitete të zvogëluara. Edhe aktivitetet biznesore me vendim të qeverisë janë ndaluar e kjo, sipas tij, do të ketë ndikim te bizneset. “Nga data 12 gjithçka ka ndryshuar te ne në Kosovë sepse kemi një gjendje të jashtëzakonshme dhe gjithë aktivitetet i kemi pezulluar, përveç atyre të cilat janë me afat juridik dhe që kërkohet të respektohen ato afate, përndryshe aktivitetet tona në terren janë ndalur. Janë ndaluar edhe aktivitetet biznesore, përveç ato që kanë të bëjnë me shitje të produkteve ushqimore apo furrat dhe kjo gjë ndikon edhe te stopimi i aktiviteteve biznesore te bizneset, njëkohësisht sigurisht se do të ndikojë edhe në aspektin e realizimit të hyrave edhe për ATK-në”, ka thënë Murtezaj.

Sipas drejtorit të ATK-së, kjo gjendje do të ndikojë në mosrealizimin e të hyrave duke bërë që të mospërmbushet edhe buxheti i planifikuar i shtetit. “Kjo ndikon edhe në mosrealizimin e objektivit të të hyrave për ATK-në dhe në mospërmbushje të mosbuxhetit të planifikuar. Por, ne po vlerësojmë se nuk është periudhë afatgjatë dhe sigurisht se edhe bizneset duhet të bëjnë përpjekje t’i realizojnë planet e tyre”, ka shtuar drejtori Murtezaj.

Ai ka treguar se do ta vazhdojnë punën e rregullt duke iu përmbajtur planit për grumbullim e të hyrave. “ATK-ja do ta vazhdojë punën e rregullt dhe duke bërë gjithnjë përpjekje që t’i përmbahemi planit orientues që kemi për grumbullim të të hyrave, por duhet të bëjmë punën për trajtim të barabartë”, ka bërë me dije ai.

E pas masave të ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit pati edhe ngritje të çmimeve në sektorë të ndryshëm. Për këtë shkak Ministria e Financave dhe Transfereve javën e kaluar ka obliguar Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për mbikëqyrjen e bizneseve, në rast se këto të fundit kanë rritur çmimet. Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka treguar se deri të hënën kanë pranuar 3 119 denoncime nga qytetarët për rritje çmimesh, por edhe denoncime të ndryshme tatimore dhe ka treguar se kanë dërguar 135 objekte për gjoba mandatore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i njohur i muzikës, Rita Ora, është bërë bashkë…