Drejtori i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla fton punëtorët t’i kthehen punës
Drejtori i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, ka theksuar se “për t’i hapur rrugë zhvillimit të ndërmarrjes është zbatimi në plotni i Ligjit për ‘Trepçën'”. Ai ka theksuar po ashtu se “humbjet të cilat janë duke u shkaktuar nga greva rrezikojnë likuiditetin financiar të ndërmarrjes, duke rrezikuar edhe pagat e punëtorëve”.
Syla po ashtu, bëri ftesë tek minatorët që t’i kthehen punës. “Ftojmë gjithë të punësuarit në ndërmarrjen “Trepça” që t’i kthehen punës dhe të tërhiqen nga kërkesat të cilat janë të parealizueshme, si dhe në dëm të ndërmarrjes dhe vet punëtorëve”, ka shkruar Syla në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ja postimi i plotë i Ardian Sylës:
Duke përcjell me shqetësim të madh grevën e pa paralajmëruar në Ndërmarrjen “Trepça”, përfaqësuesit e aksionarit kryesor nga Bordi Mbikëqyrës në mungesë të pa arsyeshme të përfaqësuesit të punëtorëve kanë mbajtur mbledhje dhe takime të shumta për të analizuar situatën e krijuar, si dhe për të shqyrtuar kërkesat e Këshillit Grevist. Duke pasur parasysh situatën financiare dhe operative në të cilën gjendet Ndërmarrja “Trepça”, Bordi Mbikëqyrës ka informuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, si dhe institucionet relevante në Kosovë lidhur me pamundësinë e realizimit të kërkesave të parashtruara nga Këshilli Grevist i “Trepçës”.
Në një situatë ku shpenzimet janë më të mëdha se të hyrat është mëse e pamundur ngritja e pagave prej 20%, si dhe shpërndarja e 100 Euro dhe dhuratave për Vit të Ri. Për më shumë, “Trepça”, ka të trashëguara borxhe nga mospagesa e rentës minerale, mos shlyerja e obligimeve ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës, operatorëve ekonomik dhe obligime tjera e që kapin vlerën prej më shumë se 12 milion Euro.
E vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë, si dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit të ndërmarrjes është zbatimi në plotni i Ligjit për “Trepçën”. Duke ditur këtë, Bordi Mbikëqyrës, në afat rekord ka bërë propozimin e draft statutit për të vazhduar më tutje në procedurat e parapara, mirëpo që nuk ka ndodhur për shkak të grevës së filluar në muajin korrik të vitit 2018. Kjo grevë e pa arsyeshme në atë kohë ka bllokuar regjistrimin e ndërmarrjes për më shumë se 9-të muaj dhe e njëjta gjë është duke ndodhur edhe tani kur statuti i Ndërmarrjes “Trepça”, pritet të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Prandaj, ashtu siç kemi kërkuar në vazhdimësi zbatimin e Ligjit për “Trepçën”, edhe tani kërkojmë zbatimin e Ligjit, si të vetmen formë për shpëtimin e “Trepçës”, përmes:
- Miratimit të draft statutit të “Trepça” sh.a. nga Kuvendi i Kosovës;
Me miratimin e draft statutit të “Trepça” sh.a. hapet rruga për regjistrimin e ndërmarrjes pranë Agjensionit për Regjistrim të Bizneseve, si dhe definohet njëherë e përgjithmonë statusi i ndërmarrjes.
- Regjistrimit të Ndërmarrjes “Trepça” sh.a.;
Regjistrimi i Ndërmarrjes Trepça sh.a. pranë Agjensionit për Regjistrim të Bizneseve, bënë shkëputjen e “Trepçës”, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si dhe transformimin e ndërmarrjes nga ndërmarrja shoqërore në ndërmarrje shoqëri aksionare duke hapur rrugë krijimit të infrastrukturës ligjore e cila synon një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik përmes hapjes së rrugës për investime, rritjen e vlerës së aseteve të cilat janë parakusht për rivitalizimin e “Trepçës”.
- Zgjedhjes së Bordit Menaxhues dhe Zyrtarëve të Lartë të parapara me Ligjin për “Trepçën”, me konkurs të hapur publik.
Zgjedhja e Bordit Menaxhues dhe Zyrtarëve të Lartë të Ndërmarrjes të paraparë me Ligjin për “Trepçën”, dhe Ligjin për Ndërmarrje Publike menjëherë pas regjistrimit të “Trepça” sh.a. përmes konkursit publik i mundëson ndërmarrjes një menaxhim të mirëfilltë konform legjislacionit në fuqi.
Si përfundim, humbjet të cilat janë duke u shkaktuar nga greva rrezikojnë likuiditetin financiar të ndërmarrjes duke rrezikuar edhe pagat e punëtorëve.
Prandaj, ftojmë gjithë të punësuarit në ndërmarrjen “Trepça” që ti kthehen punës dhe të tërhiqen nga kërkesat të cilat janë të parealizueshme si dhe në dëm të ndërmarrjes dhe vet punëtorëve.