Drejtori i CIA-s: Braktisja e Ukrainës nga ShBA-ja do të ishte gabim i “përmasave historike”
Duke marrë parasysh bllokimin në Kongres të propozimit për dërgimin e më shumë ndihmave ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, shefi i CIA-s, William Burns tha se Shtetet e Bashkuara do të bënin një gabim të “përmasave historike” nëse heqin dorën nga mbështetja për Kievin në luftën gati dy vjeçare ndaj Rusisë.
Votimi në Kongres i propozimin për një ndihmë të re prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën është i ndërlidhur me projekt ligjin për forcimin e kontrolleve të imigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë. Por detajet e ligjit të ri të imigracionit nuk janë zgjidhur ende dhe legjislacioni i përgjithshëm është bërë tashmë pjesë e fushatës presidenciale, duke rritur më tej dyshimet mbi miratimin e ndihmës së re për Ukrainën.
Por zoti Burns, në një ese të botuar të martën në revistën “Foreign Affairs”, tha: “Vazhdimi i furnizimit me armë do të vendoste Ukrainën në një pozitë më të fortë nëse shfaqet një mundësi për negociata serioze” për t’i dhënë fund luftës.
“Ndihma ofron një shans për të siguruar një fitore afatgjatë për Ukrainën dhe një humbje strategjike për Rusinë”, tha drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës.
“Mbështetja me një nivel që kap vlerën e më pak se 5% të buxhetit të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, është një investim relativisht modest me përfitime të konsiderueshme gjeopolitike”, tha ai.
Ai tha se vendimi i Rusisë dhe Presidentit të saj Vladimir Putin për të sulmuar Ukrainën në shkurt të vitit 2022 ishte një “marrëzi e Putinit”.
“Të paktën 315000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur, dy të tretat e të gjitha tankeve që kishte Rusia para luftës janë shkatërruar dhe programi i Putinit për modernizimin ushtarak prej dekadash ka pësuar një goditje”,tha zoti Burns.
Megjithatë, zoti Burns tha se Presidenti Putin nuk ka gjasa të tërhiqet nga sulmi ndaj Ukrainës fqinje.
“Është gjithmonë gabim të nënvlerësohet fiksimi i tij për të kontrolluar Ukrainën”, tha zoti Burns. “Pa këtë kontroll, ai beson se është e pamundur që Rusia të jetë një fuqi e madhe ose që ai të jetë një udhëheqës i madh rus.”
Burns tha se lufta “po dëmton në heshtje fuqinë e tij në vend”, por tha se “ai vazhdon të besojë se koha është në anën e tij, se ai mund të shkatërrojë Ukrainën dhe të rraskapit përkrahësit e saj perëndimorë”.
Ai i bëri thirrje Ukrainës që të godasë më thellë territorin e kontrolluar nga Rusia.
“Sfida e Ukrainës është të godasë arrogancën e Putinit dhe të demonstrojë koston e lartë për Rusinë… jo vetëm duke bërë përparim në vijat e frontit, por edhe duke nisur sulme më në thellësi të territorit të tyre (rusëve)”, tha zoti Burns.
Vala e fundit e sulmeve ruse në Ukrainë
Ndërkohë, Ukraina tha të martën se gjatë natës ushtria ruse kreu sulme me 35 dronë dhe dy raketa në rajone të shumta të vendit.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se mbrojtja ajrore shkatërroi 15 dronë në Mykolaiv, Sumy, Cherkasy, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Kherson dhe Kiev.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se një pjesë e sulmit të Rusisë kishte në shënjestër infrastrukturën e sektorit të karburantit dhe energjisë.
Rusia tha të hënën se mbrojtja e saj ajrore shkatërroi 21 dronë ukrainas që kishin në shënjestër objektiva ruse.
Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se ushtria kishte shkatërruar dronët ukrainas mbi Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, si dhe në rajonet ruse të Belgorodit, Bryanskut, Kalugas dhe Tulas.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi të hënën se lufta mbrojtëse e Ukrainës kundër Rusisë do të ishte në rrezik pa një raund të ri ndihmash, të miratuara nga Kongresi.
“Pa një raund të ri ndihmash, gjithçka që ukrainasit kanë arritur dhe që ne i kemi ndihmuar ata të arrijnë do të jetë në rrezik”,tha Sekretari Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Uashington.
Shefi i NATO-s shprehu besimin se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, duke thënë se është në interesin e Uashingtonit të sigurohet që Rusia të mos fitojë në Ukrainë.
Zoti Stoltenberg tha gjithashtu se ndihma për Ukrainën është një përpjekje e përbashkët me aleatët e NATO-s dhe se nuk shihet si vepër bamirësie, por si “një investim në sigurinë tonë”.
Aleanca Rusi-Bjellorusi
Presidenti rus Putin u takua të hënën me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko, për të diskutuar zgjerimin e aleancës së tyre, e cila tashmë i ka dhënë mundësinë Rusisë të dislokojë disa armë të saj bërthamore në Bjellorusinë fqinje.
Presidenti Putin theksoi “partneritetin strategjik” të dy vendeve si pjesë e marrëveshjes së tyre 25-vjeçare të unitetit që përfshin thellimin e lidhjeve politike, ekonomike dhe ushtarake midis dy vendeve.
“Është e rëndësishme që në mes të një trysnie të jashtme të pashembullt, Rusia dhe Bjellorusia të kenë bashkëpunim të ngushtë në arenën ndërkombëtare dhe t’i ofrojnë mbështetje të pandërprerë njëra-tjetrës si aleatë të vërtetë”, tha zoti Putin në fillim të bisedimeve në Shën Petersburg, ku morën pjesë zyrtarë të lartë nga të dyja vendet.
Presidenti bjellorus Lukashenko është mbështetur në subvencionet ruse dhe mbështetjen politike të Moskës për të sunduar vendin ish sovjetik me dorë të hekurt për gati tre dekada. Mbështetja e Moskës e ndihmoi zotin Lukashenko t’i mbijetonte protestave të mëdha disa mujore pas zgjedhjeve të vititi 2020, që opozita dhe Perëndimi thonë se ishin të manipuluara.
Zoti Lukashenko lejoi Rusinë të përdorte territorin bjellorus për të dërguar trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Bisedimet Hungari-Ukrainë
Hungaria njoftoi të hënën se është gati për një kompromis që do t’i hapte rrugën miratimit nga Bashkimi Evropian të një ndihme prej 54 miliardë dollarësh për Ukrainën përpara një samiti urgjent të enjten.
Kryeministri Viktor Orban ka qenë një kritik i zëshëm i mbështetjes financiare dhe ushtarake të BE-së për Kievin dhe ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë.
Nëse Hungaria nuk bie dakord për ndihmën evropiane, udhëheqësit e BE-së kanë propozuar një plan tjetër që përfshin një marrëveshje midis 26 vendeve anëtare dhe Ukrainës, e cila gjithashtu do t’i mohonte Budapestit qasjen në fondet e BE-së.
Ministri hungarez i Punëve të Jashtme Peter Szijjarto u takua me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, në Kiev për të diskutuar ndihmën dhe të drejtat e komunitetit hungarez në rajonin perëndimor ukrainas të Zakarpattias. Budapesti thotë se pakica hungareze në këtë rajon duhet të ketë të drejtë të arsimohet në gjuhën e tyre amtare.