Drejtori i Crvna Zvezda: Nëse Shaqiri vjen në Beograd do të jetë më i vogël se kokrra e grurit
Crvna Zvezda e Serbisë është në grupin e njëjtë në Champions League me PSG, Napoli dhe Liverpool.
Kjo i bie se Shaqiri i transferuar në Liverpool këtë verë, do të luajë njërën prej ndeshjeve të kësaj faze në Beograd.
Tifozët e Zvezdës, siç shkruan Index.hr, mezi presin që Shaqiri të udhëtojë për në stadiumin Maracani.
Për këtë komentin ka dhënë edhe drejtori sportiv i Crvna Zvezdës, Zvezdan Terziq, që ka thënë se Shaqiri atë natë do të jetë më i vogël se një kokërr gruri, përcjell Klan Kosova.
“Mendoj që ai do të jetë nën presion psikologjik të pabesueshëm sepse e di se ku të vjen, ai e di që Crvna Zvezda është simbol i Serbisë. Nuk e di nëse do të vendosë të vjen, por nëse vjen ai do të jetë më i vogël se një kokërr gruri”.
“Natyrisht ne si klub jemi përballur me shumë rival dhe nuk jemi përballë me historinë. Crvna Zvezda ka për të bërë gjithçka që ta bëjë Shaqirin që të ndjehet se po vjen të luajë futboll dhe ne kemi obligim që ta mbrojmë atë në rast të situatave të padëshirueshme. Ne do të jemi miqësor”, ka thënë ai.
Shaqiri bashkë me Xhakën në ndeshjen Zvicër – Serbi, dy golat e tyre i festuan duke e bërë shqiponjën me duar në stadiumin Kaliningrad të Rusisë.