Drejtori i IKShPK-së: Kemi planifikuar vaksinim për tërë popullatën
Drejtori i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), Naser Ramadani, ka thënë se Kosova ka ndërtuar një strategji rreth imunizimit të vaksinës anti-Covid e cila do të fillojë së shpejti.
Në një konferencë për medie lidhur me vaksinat kundër koronavirusit, Ramadani ka thënë se janë bërë përgatitjet edhe për thirrjen e personave në termin të caktuara në çdo punkt të QMF-ve.
“Në qendrat e QMF-ve ekziston një vetaplikacion që nis së shpejti. Secili person i vaksinuar do të pajiset me një kartelë e cila do të jetë universale për të gjithë ata që janë të imunizuar e i cili ju shërben për çështje të shumëllojshme”.
“Kategoritë kryesore janë: punëtorët shëndetësor, personat mbi 65 vjeç dhe të gjithë personat e tjerë me sëmundje kronike. Ne kemi planifikuar vaksinim për tërë popullatën e Kosovës nga ekipet që kanë përvojë të duhur me një kapacitet të 20 mijë dozave në ditë, një kapacitet i menaxhimit tejet efikas të dhënies së vaksinave me kohë”, ka thënë Ramadani.