Drejtori i kundërligjshëm i QKUK-së negocioi e nënshkroi kontratën milionëshe

29 prill 2025 | 14:14

Osman Hajdari edhe më tutje vazhdon ta ushtroj funksionin e ushtruesit të drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e të nënshkruaj kontrata të negociuara milionëshe, të cilat dyshohet se janë në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi, ndonëse ka gati tre muaj që bazuar në Ligjin 08/L-197 për zyrtarët Publik pozita që mban ai është në kundërshtim të plotë me ligjin në fjalë, raporton Front Online
Në pikën e tretë të nenit 35 të Ligjit për zyrtaret Publik thuhet se zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj.
Aty në piken e tretë më tutje thuhet se kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë.
Në pikën 4 të këtij neni më tutje thuhet se pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni.
E deri sa në pikën 5 të nenit 35 thuhet se çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, është i paligjshëm.
Por, Hajdari, ish-asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prizrenit ketë pozitë e ushtron nga 29 janari i vitit 2024, pra prej më shumë se 14 muaj.
Madje gjatë kësaj kohe Hajdari në cilësinë e ushtruesit të drejtorit të QKUK-së ka nënshkruar edhe një kontrate të negociuar që në fillim ka peshuar 1 milionë, por gjate negocimit kompania që tashmë ka kontratë për sigurim të objekteve të QKUK-së ka rënë në 700 mijë euro.
Hajdari në konkursin e shpallur në fund të vitit që lamë pas kishte aplikuar për drejtor të QKUK-së, por konkursi ishte anuluar nga bordi i SHSKUK-së.
Edhe në konkursin e fundit i cili është shpallur kohe më parë Hajdari ka aplikuar sërish, por deri më tash procesi nuk ka marrë ndonjë epilog.
Dreshaj: U.D ka për obligim që brenda gjashtë muajve të përgatitë parakushtet për hapjen e konkursit të rregullt. Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj, për Front Online ka folur në lidhje me praktikën e mbajtjes së pozitave të përkohshme me ushtrues detyre (u.d) në institucione publike për periudha më të gjata se sa lejon ligji.
Dreshaj theksoi se roli i ushtruesit të detyrës është i përkohshëm dhe i kufizuar me ligj, me një qëllim të qartë.
“u.d ka për obligim që të përgatitë parakushtet për hapjen e konkursit të rregullt dhe ky interval kohor me ligj është i definuar për gjashtë muaj, pastaj bëhet përzgjedhja me konkurs,” deklaroi ai për Front Online.
Beqa: Vendimet dhe vazhdimi i qëndrimit në pozitën pas gjashtë muaj si u.u është në kundërshtim me ligjin
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-anëtari i Komisionit për Legjislacion, Hajdar Beqa, për Front Online ka kritikuar ashpër praktikat e emërimit të zyrtarëve të lartë publikë në cilësinë e ushtruesit të detyrës (U.D.) për periudha më të gjata se gjashtë muaj, duke e cilësuar këtë si shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit.
“Pozita e zyrtarëve të lartë, për pozitën e u.d por edhe me Ligjin për Shërbyes nuk lejohet që të ketë mandat më shumë se gjashtë muaj. Çdo tejkalim i afatit 6 muaj është shkelje ligjore,” deklaroi Beqa.
Ai theksoi se përgjegjësia për këto shkelje bie mbi institucionet kompetente.
“Në këtë rast është përgjegjësi e organeve kompetente.” shtoi ai.
Sipas tij, këto emërime të zgjatura nuk janë të rastësishme, por pjesë e një politike të qëllimshme nga ana e Qeverisë.
“Gjitha pozitat që janë me u.d, ka qenë tendencë e Qeverisë që me i manipulu dhe me i shantazhu” potencoi Beqa për Front Online.

Beqa gjithashtu ngriti shqetësimin për vendimet që merren nga zyrtarët që kanë tejkaluar afatin ligjor si ushtrues detyre.
“Edhe vendimet e u.d pas mandatit janë në kundërshtim me ligjin. Nuk ka përformancë me u.d.” përfundoi ai.
Zymberi: Mbajtja e pozitës së U.D. për më shumë se dy mandate është e tepërt me u komentuar e lëre me qenë e drejtë
Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil të Kosovës, Mursel Zymberi për Front Online ka dhënë kritika ndaj praktikës së emërimeve të zyrtarëve të lartë publikë në pozitën e ushtruesit të detyrës (U.D.) për periudha të zgjatura, duke e cilësuar këtë praktikë si të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e Ligjit për Zyrtarët Publikë.
“Përgjigjen e ke. Përgjigja është shumë e ditur,” tha ai, duke lënë të kuptohet se çështja është e qartë për këdo që njeh legjislacionin në fuqi.
Ai shtoi se autoritetet aktuale po tentojnë të kufizojnë edhe mandatet e zyrtarëve të përzgjedhur përmes konkurseve të rregullta, e jo vetëm të atyre të emëruar si U.D.
“Tash këta po mundohen me kufizu edhe mandatin kur ti merresh në konkurs, e lëre më me U.D me vazhduar dy mandate.” tha Zymberi.
Në këtë kontekst, kryetar i SSHCK përmendi edhe kthimin për rishqyrtim nga Gjykata Kushtetuese të Ligjit për Zyrtarët Publikë, i cili synon të vendosë kritere të qarta për mandatin dhe përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve publike.
“Derisa Ligji për Zyrtar Publik, i riu i cili është kthyer nga GJK prapa, i cili mandaton pozitat e zyrtarëve publik, provon me i mandatu dhe me i zgjedhë profesional dhe me vazhduar me mandate të caktuara…” potencoi ai për Front Online.
Ai vlerësoi se zgjatja e ushtrimit të detyrës përtej dy mandateve e cenon rëndë parimin e profesionalizmit dhe konkurrencës së drejtë. “Tashmë vazhdohet me 2+2 ose 4+4 me U.D – kjo është e tepërt për me komentua, e lërë me qenë e drejtë.” deklaroi Zymberi, kryetar i SSHCK.
Dilemat ligjore rreth ushtruesve të detyrës: Deputetja e VV-së thotë se ka mungesë të qartësisë ligjore
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-anëtare e Komisionit për Shëndetësi, Labinote Demi-Murtezi, për Front Online ka komentuar çështjen e ushtruesve të detyrës në pozita të larta publike, duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e mbajtjes së më shumë se dy mandateve si U.D. Drejtori në institucione publike.
Ajo pranoi se çështja nuk është trajtuar me thellësi ligjore nga Ministria e Shëndetësisë apo nga komisionet përkatëse.
“Nuk jam kompetente për këtë çështje, a pse ka raste ka,” tha Demi-Murtezi, duke shtuar se ndonëse ka pasur diskutime, nuk është marrë një qëndrim i qartë për këtë.
Sipas saj, problematika nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me ligjet e sektorit shëndetësor.
“Kjo ka të bëjë me ligjet që kanë të bëjnë me administratën dhe jo shëndetësinë,” u shpreh ajo
Duke u ndalur tek përvoja praktike në administratë, ajo përmendi raste të kaluara.
“Nga praktika e dimë se një zyrtar, i ka kaluar tre-katër, pesë apo gjashtë ministra duke qenë U.D.” shtoi ajo për Front Online.
Demi-Murtezi pranoi gjithashtu se ekzistojnë interpretime të ndryshme të legjislacionit aktual.
“Ka narrative të ndryshme, ka narrative të ndryshme. Këto leximet mes rreshtave në ligj, ka pasur raste në praktikë. Nuk është kjo çështje që nuk e kemi diskutuar, por nuk është çështje që është marr Ministria e Shëndetësisë. Ne flasim vetëm për ligjet që flasim vetë,” tha ajo
AVONET: Mbajtja e pozitës së U.D.-së mbi 12 muaj është kundërligjshme dhe vendimet janë juridikisht të pavlefshme
Shefki Berisha nga rrjeti i OJQ-ve AVONET për Front Online ka ngritur shqetësime serioze lidhur me praktikat e disa institucioneve publike që po lejojnë zyrtarët të mbajnë pozitën e ushtruesit të detyrës (U.D.) përtej afateve të përcaktuara me ligj.
Sipas Shefki Berishës nga AVONET, një gjë e tillë është në kundërshtim të hapur me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
“Sipas ligjit pozitiv për zyrtarët publik, konkretisht nenit 35 të këtij ligji, zyrtari publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë,” tha Berisha.
Duke u bazuar në interpretimin e kësaj dispozite ligjore, ai theksoi se çdo tejkalim i këtij afati e bën vendimmarrjen e mëtejshme të pavlefshme në aspektin juridik:
“Një U.D. nuk mund të ushtrojë këtë pozitë më shumë se 12 muaj (1 vit), dhe se nxjerrja e vendimeve sipas paragrafit 5, të nenit 35 të ligjit të aplikueshëm për zyrtarët publik, pas kalimit të afatit të paraparë ligjor 6 muaj + 6 muaj = 12 muaj, është e kundërligjshme. Pra, ato vendime konsiderohen juridikisht të pavlefshme (nule),” theksoi ai për FrontOnline.
Berisha nga AVONET ka shprehur shqetësim të thellë për siç e cilëson “papërgjegjësinë” e disa institucioneve që nuk po i përmbahen dispozitave të ligjit në fuqi.
“Ne jemi shumë të shqetësuar mbi papërgjegjësinë që po tregojnë disa institucione të cilat nuk po respektojnë këto norma juridike në fuqi, e që ne konsiderojmë se me këto veprime po cenohet rëndë siguria juridike dhe se vendimet e këtyre institucioneve po marrin natyrë arbitrare dhe jo natyrë ligjore.” përfundoi ai.
Vitija: Udhëheqja e QKUK-së me ushtrues detyre nuk duhet të lejohet
Njohësi i fushës s shëndetësisë, Bujar Vitija, për Front Online ka thënë se nuk do të duhej që QKUK të udhëhiqej me Ushtrues Detyre, duke thënë se kjo është përgjegjësi e Bordit të SHSKUK-së, që nuk e kanë formuar ende një komision për këtë çëdhtje.
“Me sa e di unë, SHSKUK ka kërkuar sqarime nga DMZP për vazhdimin e mandatit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së. Pas këtyre sqarimeve, është vazhduar mandati i tij,” tha Vitija.
Ai vuri në pah përgjegjësinë e Bordit Drejtues të SHSKUK-së për mospërmbushjen e detyrimeve ligjore dhe procedural.
“Udhëheqja e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës me ushtrues detyre nuk duhet të lejohet. Kjo është përgjegjësi e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, të cilët ende nuk e kanë formuar Komisionin pranues për konkursin i cili që gati 3 javë është mbyllur.” tha Vitija. Sipas tij, problemi nuk është i kufizuar vetëm në QKUK.
“Dhe kjo nuk është vetëm për QKUK-në, por edhe për dy spitale të përgjithshme në Mitrovicë dhe Ferizaj të cilët po ashtu udhëhiqen nga ushtrues detyre.” shtoi ai.
Vitija theksoi veçanërisht rastin e spitalit të Ferizajt, duke e cilësuar si ekstrem.
“Madje spitali në Ferizaj është me U.D që disa vite.” përfundoi gazetari Vitija.
Front Online ka dërguar pyetje në drejtim të QKUK-së, për të marr përgjigje se përse po ndodhë që Osman Hajdari të mbetët akoma si U.D i QKUK-së dhe për të pyetur se a është i kundërligjshëm qëndrimi i tij në këtë pozitë, por deri në publikimin e këtij artikulli, nga QKUK nuk kanë kthyer përgjigje. Po ashtu, Front Online ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë e Shtetit të Republikës së Kosovës, për të marr përgjigje nëse rasti i U.D të QKUK-së është duke u hetuar, por as nga PSHRK nuk kemi marr përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

https://frontonline.net/drejtori-i-kunderligjshem-i-qkuk-se-negocioi-e-nenshkroi-kontraten-milioneshe/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deri në 30 për qind pritet të shtrenjtohet çmimi i…