Drejtori i Mercedesit: Red Bulli i Verstappenit duket si një makinë e Formulës 1 mes atyre të Formulës 2
Me 11 fitore në po kaq gara të zhvilluara deri më tani në këtë botëror (9 Max Verstappen e dy Sergio Perez) makina Red Bull i ka befasuar të gjithë me paraqitjen. Një makinë e pakapshme nga rivalët, që e mbyll garën me një dallim shumë të madh nga skuadrat e tjera. Një imazh ky i këtij botërori të Formulës 1, që askush nuk e kishte imagjinuar.
Toto Wolff, drejtori sportiv i Mercedesit, komenton kështu epërsinë që makina Red Bull ka me rivalët: “Do të donim të paraqiteshim më mirë në garë, por kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi e para renditet një makinë që ka 34 sekonda nga vendi i dytë. Dhe, me shumë gjasë, në shumicën e garës nuk ka dhënë maksimumin e saj. Kjo tregon diferencën e madhe mes skuadrave”.
“Makina Red Bull e Max Verstappenit ishte si një makinë e Formulës 1 që garon mes atyre të Formulës 2. Nëse Hamiltoni e Norris duelonin për podiumin dhe ishin si dy makina të F2, Verstappeni ishte i një kategorie më lart. Kjo tregon se na duhet të punojmë më shumë për të qenë kompetitivë sezonin tjetër”, ka shtuar Wolff.
“Mendoj se për vitin 2024 janë të nevojshme shumë ndryshime. Drejtimi në të cilin është fokusuar puna jonë për të ardhmen është shumë interesante. Po shqyrtojmë me kujdes çdo koncept, për të mos pasur më surpriza të tilla. Çdo filozofi që kemi parë te makinat e tjera është e rëndësishme”, ka pohuar Toto Wolff.