Drejtori i minierës në Stan Tërg dërgohet në QKUK pas sulmit nga punëtori i Trepçës
Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një incident që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në minierën në Stan Tërg, ku është sulmuar fizikisht Ushtruesi i Detyrës së drejtorit, Bahri Karaqa.
Karaqa në një prononcim për Sinjalin bëri të ditur se si pasojë e sulmit ka marrë lëndime trupore dhe për këtë ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
“Jam duke shku në Prishtinë, në Emergjencë, e konfirmoj se e kam pasë një sulm prej një personi. Ishim në Emergjencë në Mitrovicë, tash po shkojmë në Prishtinë”, tha Karaqa.
Sipas tij, e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një vërejtjeje me shkrim që i është shqiptuar të dyshuarit, i cili është punëtor në Trepçë.
Karaqa u shpreh se nuk ka informacione ende, nëse është arrestuar i dyshuari, pasi i njëjti është arratisur nga vendi i ngjarjes.
“Po, po, punëtor në Trepçë. Ia kena dhanë një vërejtje me shkrim, i kena thanë që s’bon ashtu. E kemi njoftu Policinë. Ai ka ikë menjëherë, nuk e di a e kanë zanë Policia”, tha për Sinjalin U.D drejtori i minierës në Stan Tërg.