Drejtori i Muzeut të Spiunazhit në Amerikë është me origjinë shqiptare, ja emri i tij
Kolonel Cris Costa ka marrë drejtimin e Muzeut Ndërkombëtar të Spiunazhit në Uashington pas një karriere të gjatë si oficer zbulimi në radhët e ushtrisë, raporton Zëri i Amerikës.
Ai ushqen një respekt të veçantë për kolegët e zbulimit dhe një dashuri të madhe për Shqipërinë nga e ka prejardhjen familja e tij:
“Gjyshërit e mi, të dy u lindën në Shqipëri dhe i sollën prindërit e tyre këtu, mbërritën në Ellis Island. Këtu gjetën Ëndrrën Amerikane. Krijuan familje. Unë jetoj me trashëgiminë që më lanë. Janë shumë krenar për prejardhjen shqiptare. Prindërit e babait ishin nga Vithkuqi, pranë Korçës, ndërsa prindërit e nënës ishin nga Berati. Pata shansin që në fillim të viteve 1990 të ecja nëpër të njëjtat rrugë në fshatrat nga kishin ardhur ata. Ishte e mrekullueshme”, shprehet koloneli.
Gjyshërit, tregon kolonel Costa, i rritën fëmijët me një ndjenjë të fortë të identitetit shqiptar. Prindërit e tij, megjithëse të lindur në Shtetet e Bashkuara ishin jo vetëm të vetëdijshëm dhe krenarë për origjinën, por edhe aktivë në komunitet përmes Organizatës Kombëtare, Shqiptaro-Amerikane ku edhe u prezantuan gjatë një mbrëmjeje festive:
“Një djalë i ri, i pashëm, oficer në Marinën Amerikane, prezantohet me një vajzë bukuroshe nga Filadelfia. Përfundimin e takimit, e dimë tani”, thotë ai.
Koloneli kujton një moment të bukur nga kontaktet e tij me shqiptarë gjatë shërbimit si oficer:
“Historia ime e preferuar… pas një operacioni të sukseshëm anti-terrorist në Afganistan rastisa në disa ushtarë shqiptarë në një bazë ushtarake. Vendosa të kaloj pak kohë me ta. Shkuam për kafe. Nuk më linin të paguaja. Qeshëm, shkëmbyem histori. U tregova se nga e ka origjinën familja ime. Më mbetën sytë tek emblema me shqiponën dy-krenare që kishte njëri prej tyre në uniformë. Ai e shkuli nga uniforma dhe ma dhuroi”.