Drejtori i Përgjithshëm i Policisë: Rreziku është aktiv, derisa Radoiçiqi është i lirë dhe qëndron në kufi të Kosovës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha pas Komisionit për Çështjen e Sigurisë ka thënë se në pjesën e mbyllur kanë folur për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, për katër komunat veriore si dhe pjesën e policisë, si angazhimet dhe sfidat.
E rreth publikimit të videos së kryeministrit Kurti, ku tha se forca serbe janë parë në kufi me Kosovën, Hoxha tha se nuk mund t’i komentojnë definimet në këtë rast të kryeministrit Kurti, por që siç tha ai Policia e Kosovës i ka kapacitetet e veta në funksion.
Ai theksoi se ka pasur forca serbe në kufi të Republikës së Kosovës, janë vërejtur nga ta, dhe se janë duke i monitoruar edhe në bashkëpunim me KFOR-in.
Drejtori i Policisë përmendi edhe kryeterroristin Radoiçiq për të cilin tha se derisa ai është ende i lirë dhe vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës, atëherë rreziku është aktiv.
“Nuk mundemi me i komentu definimet e subjekteve politike, në këtë rast edhe të kryeministrit të Kosovës. Policia e Kosovës i ka kapacitetet e veta në funksion, të ngritura në nivelin më të lartë të gatishmërisë, me qëllim që çdo sulm, tentativë për stabilizim të vendit, me i dalë ballë dhe me krye detyrën me sukses. Ka pasur forca serbe në kufi të Republikës Kosovës, i kemi vërejtur, i kemi kapacitetet me i monitoru, faktikisht jemi tu punu në bashkëpunim me KFOR-in atje, duhet me shpreh që mos të kemi telashe serioze. Derisa Radoiçiqi është i lirë dhe vazhdon të qëndrojë në kufi të Kosovës, rreziku është aktiv”, tha Hoxha para gazetarëve.