Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës thotë se mbi 100 persona kanë marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës kanë marrë pjesë më shumë se 100 persona, raporton teve1.info
Hoxha në emisionin “Info-Nata” në Tëvë1, tha se bazuar në informacionet inteligjente të Policisë, bëhet fjalë për mbi 100 perona të përfshirë në sulmin e 24 shtatorit.
“Po ashtu informacionet tjera tona inteligjente thonë që edhe një numër tjetër i grupit kriminal ka mbet në Serbi edhe kanë pas për qëllim të futen në Kosovë në momentin që u krijohet ky korridori i lirë i lëvizjes. Do të thotë numri i këtyre personave, i grupit kriminal terrorist ka qenë shumë më i madh se sa 30 edhe shumë më i madh se sa 80. Do të thotë jemi duke bërë fjalë për më shumë se 100. Më shumë se 100 janë ata të cilët kanë marrë pjesë aktive atë ditë në operacion mirëpo ka pas edhe të tjerë të cilët e kanë mbështet nga territori i Serbisë dhe po ashtu kanë pas këtu në Kosovë, mund të jetë shumë më i madh se sa ai numri fillestar sa ishte 30, apo 80 por se po flasim për kalimin e numrit 100”, u shpreh Hoxha.
Ai u shpreh se një gj të tillë e kanë konfirmuar edhe bazuar në numrin e automjeteve, armëve dhe uniformave të gjetura në këtë pjesë.
“Këto kanë qenë informacionet e para pra gjatë mëngjesit të ditës së 24 shtatorit. Ajo çfarë kemi arrit me pa ka qenë ky numër i njerëzve. Mirëpo pastaj, pas përdorimit të teknologjisë së veçantë të Policisë së Kosovës që janë dronët dhe po ashtu pas datës 24 në mbrëmje kur ne kemi arrit të futemi në brendësi të fshatit, edhe në brendësi të Manastirit dhe përreth Manastirit ne kemi arrit të sekuestrojmë një numër të madh të automjeteve të cilat ky grup terrorist i ka pas në posedim dhe të gjitha kanë qenë të pajisura me armë të veçanta. Është arrit të konfiskohen rreth 28 automjete. Nëse e llogarisim nga këto automjete të paktën nga 2 a po 3 persona në të, i bie që numri i tyre ka mundur të jetë prej 70, 80 e më shumë persona të cilët kanë qenë në Banjskë atë ditë. Mirëpo, përveç kësaj, nga faktet edhe dëshmitë që ne i kemi siguru, ne i kemi siguruar diku 115 uniforma të tjera që i bie që edhe njerëz të tjerë kanë mundur të jenë pjesë e grupit duke qëndruar në fshatin Banjskë apo në pjesë tjera të veriut të Kosovës”, u shpreh ai.