Drejtori i përgjithshëm i policisë viziton pikën kufitare në Vërmicë
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga stafi i tij, drejtori i Departamentit të Policisë Kufitare, Shaban Guda dhe drejtori i Divizionit të Trafikut, nënkolonel Jeton Rexhepi, vizituan pikën kufitare në Vërmicë si dhe inspektuan njësitet policore të PK-së, të cilat sipas marrëveshjes së mirëkuptimit kryejnë patrullime të përbashkëta me zyrtarët policorë të shtetit të Shqipërisë.
Gjatë kësaj vizite u realizua një takim i përbashkët edhe me zyrtarët policorë të autoriteteve të Shqipërisë, të cilët informuan menaxhmentin e lartë mbi punën, aktivitetet dhe angazhimet policore të cilat ndërlidhen me menaxhimin dhe kontrollin e kufirit, duke veçuar edhe kontrollin e lehtësuar kufitar, për shkak të qarkullimit të madh të qytetarëve dhe automjeteve gjatë sezonit veror.
Pjesë e kësaj vizite ishte edhe inspektimi i njësiteve policore, që sipas marrëveshjes së mirëkuptimit në mes të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Policisë së Kosovës kryejnë patrullime të përbashkëta në Shtetin Shqiptar.
Ky takim zyrtar në mes të dy palëve ka rezultuar mjaft pozitiv, dhe si synim ka ngritjen dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit policorë në mes të dy vendeve.