Drejtori i Policisë e sheh të nevojshëm vetingun
08 gusht 2021
| 15:41
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, e ka vlerësuar të nevojshëm procesin e vetingut në sistemin e sigurisë, përfshirë edhe Policinë e Kosovës.
Mehmeti ka thënë se vetingu do të ndikonte që qytetarët të kenë më shumë besueshmëri në këto institucione.
“Një veting do ta ngrehte besueshmërinë te qytetarët. Për ne absolutisht është i mirëseardhur”, ka thënë Mehmeti në një intervistë për emisionin “Betimi për drejtësi”.
Vetingun po e shtynë përpara edhe Ministria e Drejtësisë.
Ky proces shërben për përjashtimin e zyrtarëve publikë që nuk kanë integritet për përmbushjen e detyrës në mënyrë që të rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore.