Drejtori i policisë jep garancinë për mbajtjen e Kadri Veselit në arrest shtëpiak
Mbrojtja e Kadri Veselit ka bërë edhe një kërkesë për lirimin e klientit të tyre nga qendra e paraburgimit në Hagë për të vazhduar më pas masën e arrestit shtëpiak në Mitrovicë.
Siç është thënë në letrën e dy avokatëve, Ben Emerson dhe Andrew Strong, dërguar gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicola Guillou, tashmë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë një garanci të qartë, e cila siç është thënë në dokument zvogëlon rrezikun e vetëm të identifikuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në vendimin e mëparshëm.
Në vendimin e mëparshëm siç është thënë në dokumentin e mbrojtjes, gjyqtari i procedurës paraprake kishte ngritur shqetësime se bisedat e mundshme të pa monitoruara të Kadri Veselit me familjarët dhe vizitorët që mund të pengonin përparimin e mëtejmë të procedurave të Dhomave të Specializuara. Gjithashtu në vendimin e mëparshëm, siç ka theksuar dokumenti i mbrojtjes, ishte potencuar edhe rreziku i kryerjes së ndonjë krimi tjetër.
Mbrojtja ka konfirmuar se kanë marrë edhe një letër nga drejtori i Policisë së Kosovës, në të cilën është thënë se “Policia e Kosovës është më se e aftë dhe e gatshme që të zbatojë çfarëdo kushti apo urdhri të vendosur nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake për Lirimin e Përkohshëm ose ndonjë çështje tjetër”.
Siç është thënë në dokumentin e mbrojtjes, Policia e Kosovës është më e pajisur për të zbatuar urdhrat e gjykatës sesa njësitet në qendrën e paraburgimit.
Më tutje, mbrojtja ka thënë se angazhimi i detajuar i marrë nga Policia e Kosovës ndryshon qartazi rrethanat dhe në mënyrë direkte zvogëlon rrezikun që gjyqtari i procedurës paraprake kishte përmendur në vendimin paraprak për çështjen e arrestit shtëpiak.
Në fund mbrojtja ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që të lirojë Kadri Veselin nga paraburgimi.