Drejtori i policisë kërkon të kursehet nga pyetja rreth lirimit me kusht të ish-krerëve të UÇK-së
Gjykata Speciale ka kërkuar nga Policia e Kosovës që brenda dy javësh të ofrojë informacione në lidhje me autorizimet dhe kapacitetet e saj për të zbatuar kushtet që kanë të bëjnë me lirimin e përkohshëm të mundshëm nga paraburgimi të drejtuesve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka pyetur drejtorin e policisë, Samedin Mehmeti rreth kësaj çështjeje.
“Besoj opinioni publik e di se na është bërë kërkesa nga avokatët mbrojtës, ndërsa këtë pyetje drejtojeni tek Dhomat e Specializuara”, ka thënë drejtori Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për çështje të sigurisë.
Në anën tjetër, Mehmeti – Selimi ka insistuar në pyetje, por që drejtori e ka lutur atë që ta kursente për këtë çështje.
“Ne kemi dërguar kapacitetin dhe aftësinë tonë rreth mundësisë për me siguruar lirinë me kusht. Ndërsa sa i përket pyetjes së Dhomave të Specializuara, kisha pas qejf me na kursyer dhe atë pyetje me ua bërë atyre”, ka përfunduar Mehmeti.