Drejtori i Policisë kolonel Hoxha me bashkëpunëtorë dhe stafin e Ambasadës Amerikane po marrin pjesë në konferencën e shefave të Policisë në SHBA
Në konferencën e cila po mbahet në kuadër të IACP-it (International Association of Chiefs of Police -Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë), në San Diego të Kalifornisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po marrin pjesë përfaqësues të lartë të policive nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorë.
Pjesëmarrja e delegacionit zyrtar nga Policia e Kosovës me përfaqësues të organizatave të ndryshme policore, në këtë konferencë të nivelit më të lartë në fushën e sigurisë mundëson shkëmbimin e përvojave dhe eksperiencave policore, trajtimin e sfidave dhe fenomeneve me të cilat ballafaqohen institucionet e sigurisë.
Drejtori i përgjithshëm Hoxha me bashkëpunëtorë ka pasur rastin të takojë personalitete të ndryshme duke përfshirë edhe drejtorin ekzekutiv të EUROPOL-it, znj. Catherine De Bolle, z. Gregory Ducot, drejtor i DOJ-ICITAP dhe z. Samuel Pineda, drejtor i Zyrës së Programeve, Departamenti i Shtetit- Byroja Kundër Terrorizmit si dhe me udhëheqës të policive të shumë vendeve botërore. Në këto takime u diskutuan tema të ndryshme si luftimi i krimit të organizuar transnacional si dhe llojeve të tjera të krimit, përfshirë edhe luftën e pa kompromis kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë (IACP), është shoqata profesionale më e madhe dhe më me ndikim në botë për udhëheqësit/ liderët e policisë dhe është e përkushtuar për të avancuar sigurinë e komuniteteve në mbarë botën.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Policia u mundësua nga ICITAP – Ambasada Amerikane.