Drejtori i Policisë së Kosovës viziton Uashingtonin, kjo është arsyeja
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i shoqëruar nga përfaqësues të policisë dhe të DOJ- ICITAP-it – Ambasada e ShBA-së në Kosovë, po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Uashington.
Në kuadër të kësaj vizite janë realizuar takime të niveleve të larta, ndër to edhe takimi i realizuar në Uashington D.C, me drejtorin e DOJ-ICITAP-it, Gregory Ducot, me të cilin janë diskutuar tema mjaft të rëndësishme në interes të organizatës policore.
“Ky takim kishte për qëllim të rrisë edhe më tej bashkëpunimin dhe avancimin drejt shkëmbimit të informacioneve, ofrimit të trajnimeve dhe përvojave më të mira ndërkombëtare në interes të organizatës policore, të cilat shërbejnë në zhvillimin dhe avancimin profesional të Policisë edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe kërcënimeve ndërkombëtare”, ka njoftuar policia.
Sipas këtij njoftimi, Policia e Kosovës ka falënderuar DOJ-ICITAP-in amerikan për përkrahjen dhe mbështetjen në realizimin e kësaj vizite mjaft të rëndësishme për policinë.