Drejtori i RTK-së: Mes Gashit e Nushit pati debat me tone ofenduese, jo përleshje fizike
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, ka reaguar ndaj lajmit që është plasuar në portale se ka pasur rrahje pas debatit në studion e RTK-së mes avokatit Tomë Gashi dhe përfaqësuesit të PSD-së, Nol Nushi.
Kastrati përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se Gashi e Nushi kanë vazhduar debatin me tone ofenduese edhe pas emisionit, por, sipas tij, nuk ka pasur përleshje fizike e as goditje ndërmjet tyre.
Parrotlla.net. ka postuar lajmin se pas debatit në studion e RTK 1, dy nga pjesëmarrësit, Tomë Gashi dhe Nol Nushi, u ndeshën fizikisht me njëri-tjetrin pas akuzave të ndërsjella. “Ka qenë gazetari Ridvan Berisha dhe analisti Milaim Zeka që kanë ndërhyrë për t’i ndarë gjatë përleshjes Gashin dhe Nushin”, ka shkruar Parrotlla.net.
Reagimi i plotë i tij:
Të nderuar,
Menaxhmenti i RTK-së mohon lajmet e publikuara në disa portale për një përleshje fizike të mysafirëve Tomë Gashi dhe Nol Nushi në studion e RTK-së pas debatit. RTK-ja njofton shikuesit se mysafirët kanë vazhduar debatin me tone ofenduese edhe pas emisionit ku Nol Nushi i është kundërpërgjigjur duke e gjuajtur me ujë, por se nuk ka pasur përleshje fizike e as goditje ndërmjet tyre.
(M.Q / Epoka e re)