Drejtori i RTK-së, Muratit: E pavërtetë se në RTK ka 100 punëtorë me paga më të larta se të ministrit
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, ka reaguar ndaj komenteve të ministrit të Financave, Hekuran Muratit, pasi ky i fundit ka thënë se në transmetuesin publik ka rreth 100 punonjës që marrin paga mujore më të larta se të një ministri.
Sipas Kastratit kjo është e pavërtetë, pasi pagat në këtë medium mbesin të njëjtat si para tri vjetësh dhe sipas tij edhe ministri është i vetëdijshëm për këtë gjë.
“Është absolutisht e pavërtetë se në RTK janë 100 punëtorë me paga më të larta se të ministrave. Këtë e di shumë mirë edhe Ministri Murati. Buxheti për pagat mbetet po ai i njëjti i para tri viteve dhe si kryetar i Komisionit paraprak i Financave, Ministri Murati është i njohur me këtë fakt”, ka shkruar Kastrati në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kastrati ka thënë se përpjekjet për të sulmuar publikisht Radio Televizionin e Kosovës, janë të ulëta.
“Përpjekjet për ta sulmuar politikisht RTK-në nëpërmjet manipulimit me të vërtetat faktike është veprim i ulët, por i pakalueshëm. Vetë fakti se uljen e buxhetit për RTK-në mundohen ta argumentojnë me të dhëna të fabrikuara dëshmon se ky vendim është absolutisht i paarsyeshëm dhe i paarsyetuar”, ka shkruar Kastrati.
Sipas tij, buxheti i RTK-së është më i ulëti krahasuar me mediumet publike në rajon dhe se shkurtimi i mëtutjeshëm i këtij buxheti zbulon hapur tendencën politike për ta degraduar mediumin publik, në vend se të synohej zhvillimi i tij, si një resurs i domosdoshëm publik.