Drejtori i Shërbimit Korrektues: Faton Hajrizi është larguar pas orës një të mesnatës
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani ka thënë se Faton Hajrizi është larguar pas orës një të mesnatës së 6 korrikut të këtij viti.
Dibrani në Tv Dukagjini nuk ka shpalosur detaje të tjera për mënyrën se si ka ikur apo si ka arritur që të arratisur, me arsyetimin se “janë duke u zhvilluar hetimet” nga organet kompetente, qoftë të brendshme apo dhe nga Policia e institucionet e tjera.
“Pas orës 1 të mëngjesit. Krejt çka mundemi me diskutu është se institucionet e sigurisë po hetojnë rastin. Normalisht Qendrat Korrektuese të tipit të hapur nuk kanë grila të shumta. Rrethoja e oborrit është pa grila. Dritaret janë pa grila. Mënyra e vendosjes së largimit të tij është çështje pas hetimeve”, deklaroi Dibrani.
Dibrani po ashtu shtoi se janë në procedura hetimore “se ku po qëndron përgjegjësia”.
Ndryshe, Dibrani ka sqaruar edhe detajet se si lejohet vizita e të burgosurve në vikend tek familja nga paneli që kryeson nga Zyrtari për Punë Sociale, Siguri, Udhëheqësi i Pavijonit, e pastaj tek zëvendësdrejtori i Burgut.
“Lejimin për vizitë në familje është i autoritetit të drejtorit të burgut, pas vlerësimit nga zyrtarët për Punë Sociale, nga zyrtari për Siguri, nga udhëheqësi i pavijonit, nga udhëheqësi për programin ndër-hetime, që udhëhiqet nga Zëvendësdrejtori i Burgut. Ky panel i rekomandon drejtorit të Institucionit, i cili vendos për të liruar në vikend me familje. Në Qendrën e Paraburgimit në Smrekonicë dhe në tippet e hapura kemi të burgosur që janë të angazhuar në punë jashtë institucioneve korrektuese. Ditën janë në punë e natën kthehen në vuajtje” shtoi ai.