Drejtori i ShSKUK-së: Nuk do të lejojmë anarki
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) dr. Basri Sejdiu, ka mbajtur një konferencë për medie, në të cilën ka folur në lidhje me masat e fundit disiplinore që janë marrë ndaj mjekëve që nuk janë gjetur në kujdestari.
Ai ka sqaruar se masat e ndërmarra ndaj mjekëve nuk janë politike, e as personale siç ka pasur komente në rrjetet sociale dhe medie.
Sipas Sejdiut, nuk do të lejohet të ketë anarki pasi anarkia rrezikon institucionin.
Duke sqaruar masat e ndërmarra, drejtori Sejdiu ka shpjeguar se rastet e fundit të suspendimit kanë ndodhur për shkak të mungesës së tyre në vendin e punës.
Ai ka deklaruar se askush nuk mund të arsyetohet se është profesionist i madh dhe të mos jetë i rregullt në kujdestari, qoftë edhe një minutë.
“Çdo mjek dhe infermier në kujdestari duhet ta dijë se duhet të jetë në orar çdo minutë. Vetëm një të shtunë një mjek merr diku rreth 170 euro për kujdestari, janë komisionet ato që kanë bërë inspektimet, asnjë suspendim nuk ka ndodhur pa fakte”, u shpreh drejtori Sejdiu.
Në konferencë për medie, drejtori Sejdiu ka folur edhe për investimet e fundit që po bëhen në ShSKUK, përfshirë pajisjen me aparatura të reja moderne, përmirësimin e infrastrukturës, duke sqaruar se po mundohen që qendra të jetë pacienti, që ai të ketë qasje sa më të lehtë dhe sa më të mirë.
Sipas tij, janë pranuar në punë 180 infermierë dhe 80 mjekë specialistë me qëllim që shërbimi të jetë sa më cilësor.
“Stafi të ofrojë shërbime që krejt kjo të bëhet për të mirën e pacientit. Të gjithë ne mund të jemi pacient, nuk merren asnjë masë që të lëndojë individin por në të mirë të institucionit dhe krijimit sa më të madh të sigurisë për pacientin Vendimet e tilla merren gjithmonë konform legjislaturës në fuqi”, ka thënë Sejdiu.
/Epoka e re/