Drejtori i “Limak” tregon shifrat e përfitimit të Kosovës nga koncesionimi i Aeroportit
Drejtori i kompanisë “Limak Kosovo” që koncesionoi Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka thënë se investimi e ka bërë atë një nga më të mirët në Ballkan.
Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, Haldun Firat Kokturk përmendi shifrat që sipas tij paraqesin fitimet e Qeverisë së Kosovës nga marrëveshja me kompaninë e tij.
“Deri më tani ne po paguajmë 39.5 për qind të të ardhurave bruto të mbledhura duke ia transferuar Qeverisë së Kosovës. Deri më tani shuma totale e transferuar në buxhetin e Kosovës është 77.7 milionë euro”, ka thënë Kokturk.
Ai po ashtu ka thënë se terminali i ri është një investim i vërejtshëm që ka ndikuar edhe në numrin e pasagjerëve.
“Jam i sigurt që të gjithë ata që kanë qenë në aeroport e vërejnë ndryshimin mes terminalit të ri dhe atij të vjetër. Tani për tani Aeroporti i Kosovës është një nga më të përparuarit në Ballkan”, ka deklaruar Kokturk.