Drejtoria e Inspekcionit në Prishtinë tejkalon planifikimet për 50 për qind
Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës për vitin 2019 ka tejkaluar pritjet buxhetore për afro 50 për qind, duke mbledhur 147 mijë euro nga 100 mijë të planifikuara. Lajmin e ka bërë me dije drejtori i Inspekcionit në këtë komunë, Adonis Tahiri.
Ai ka treguar se këto të hyra janë mbledhur pas gjobave të shqiptuara nga inspektorët në teren e që janë kryesisht gjoba në trafik.“Sektori i rendit komunal është më i ngarkuari për nga përgjegjësitë për shkak se mbulon fusha të ndryshme, duke filluar nga mbikëqyrja e transportit, qoftë mallrave, qoftë udhëtarëve, shumë shpesh kemi aksione për largimin e taksistëve ilegalë për largimin e shitësve ambulant. Ne në secilin rast i largojmë nga komunikacioni ose ua konfiskojmë targat ose e konfiskojmë komplet automjetin dhe e shqiptojmë gjobën, pas pagesës së gjobës ne detyrohemi të i kthejmë targat”, ka thënë ai për “Ekonomia Online”.
Tahiri ka thënë se kanë një bashkëpunim shumë të mirë me qytetarët dhe policinë, pasi sipas tij, kjo punë do të ishte e pamundur me numrin e vogël të inspektorëve. “Kudo që haset në tentim për ndërtim pa leje ne i fillojmë procedurat, dhe procedura e fundit kur pala nuk bindet është edhe vendimi i rrënimit, kësisoj ne që nga viti i kaluar kemi zbatuar mbi 30 vendime të rrënimit dhe ka mbetur edhe një numër i vogël i tyre që do të gjejnë zbatim shumë shpejtë. Në secilin rast jemi të përkrahur maksimalisht edhe nga e Policisë së Kosovës në mënyrë që për çfarëdo lloj rezistence brenda zbatimit të atij vendimi ta kemi edhe përkrahjen e tyre”, është shprehur Tahiri.