Drejtoria e Shëndetësisë në Gjakovë i prodhon vetë maskat mbrojtëse për stafin mjekësor të QKMF
Nga frika e përhapjes së virusit COVID-19, nëpër barnatoret në të gjitha qytetet e Kosovës ka filluar një fluks i madh i qytetarëve të cilët kanë blerë maska si mjet mbrojtës kundër virusit.
Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjakovë ka vendosur që maskat t’i prodhojë në njërën nga punëtoritë e tekstilit në Gjakovë dhe të ua shpërndajë stafit mjekësor të QKMF dhe zyrtarëve të cilët gjatë këtyre ditëve janë në punë, shkruan Reporteri.net.
Edhe komuna të tjera në Kosovë kanë njoftuar se punëtorët shëndetësorë nëpër QMF, janë në mungesë të mjeteve mbrojtëse.
Kujtojmë se si pasojë e panikës së krijuar nga pandemia e Coronavirus, barnatoret kanë shfrytëzuar rastin të rrisin çmimet e produkteve mbrojtëse si dezinfektues, maska mbrojtëse dhe alkool për çka edhe janë raportuar në Agjencinë Tatimore të Kosovës.