Drejtoritë Komunale të Arsimit të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor
Drejtoritë komunale të Arsimit janë shprehur të gatshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2018/2019, i cili fillon më 3 shtator.
Kështu është thënë në takimin e radhës të Kolegjiumit për Arsim të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Takimi në fjalë është hapur nga kryesuesi i këtij kolegjiumi, Besim Avdimetaj, i cili ka thënë se ky takim është thirrur me qëllim të koordinimit të aktiviteteve të parapara me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës (MAShT), për një fillim sa më të mbarë të vitit të ri shkollor.
Për këtë arsye në takim kanë qenë të ftuar përfaqësuesit e MAShT-it, ku nga kjo ministri prezent ishte sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Ekrem Kastrati.
Kastrati ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të MAShT-it për një bashkëpunim të vazhdueshëm me Kolegjiumin e Drejtoreve të Arsimit si dhe me AKK-në me qëllim të avancimit të sistemit edukativ në komuna.
Ai ka kërkuar nga komunat mirëkuptim në procesin e ardhshëm të shpërndarjes së teksteve shkollore nëpër komuna, punë kjo e cila kërkon angazhime shtesë nga DAK-të komunale në këtë fillim viti shkollor.