Drejtues të komunës së Mitrovicës inspektuan punimet në rrugën e Zasellës
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Sami Zeka dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Naser Muja, kanë inspektuar të martën punimet për asfaltimin e rrugës për në fshatin Zasellë, si dhe kanë biseduar me qytetarët e fshatit edhe për problemet tjera infrastrukturore dhe të fushave tjera me të cilat po ballafaqohen banorët e atyshëm.
Po ashtu, ata kanë biseduar edhe me përfaqësuesit e kompanisë që ka fituar tenderin për asfaltimin e rrugës për respektimin e afateve për kryerjen e punëve sipas dinamikës së përcaktuar dhe me cilësi të lartë.
Me këtë rast, nënkryetari Mujka ka dhënë sugjerimet e tija lidhur me çështjet e lartpërmendura, si dhe kanë premtuar mbështetje në rast se ajo kërkohet nga kompania punëkryese.
Përfaqësuesit kompanisë përfituese “Rrukolli” u thanë zyrtarëve komunal se punimet do të kryhen sipas dinamikës së paraparë dhe duke i respektuar të gjitha kriteret e marrëveshjes së nënshkruar.
/Epoka e re/