Drejtuesi i hetimeve: Po i marrim në pyetje të mbijetuarit, pesë prej tyre janë në gjendje shoku ose në reanimacion
Zëvendëskryeprokurori bullgar Borislav Sarafov, kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski dhe Vilma Ruskovska, shefe e prokurorisë së specializuar në Shkup, kanë dhënë një deklaratë për media duke komentuar tragjedinë në autostradën afër kryeqytetit të Bullgarisë.
Është konstatuar se në autobus ka ndodhur një shpërthim, por ende nuk dihen arsyet, raporton gazeta bullgare, “Trud”.
“Kemi mbajtur një takim të përbashkët pune për të sqaruar të gjitha linjat e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar – marrjen e të gjitha dokumenteve të nevojshme nga pala maqedonase dhe marrjen e materialit biologjik për identifikimin e viktimave”.
“Lista e pasagjerëve nga autobusi është dërguar në PCM dhe procesi i identifikimit ka filluar. Jemi të bindur se po bëhen përpjekje maksimale dhe bashkëpunimi i nevojshëm”, ka thënë zëvendëskryeprokurori bullgar.
Ndërsa kryeprokurori maqedonas, Lubomir Jovesk, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të të vdekurve si dhe ka falënderuar autoritetet e Bullgarisë për punën.
Më tutje, zëvendëskryeprokurori bullgar, ka thënë se hetimet dhe inspektimet janë duke vazhduar.
“Në një masë të madhe, fotografia e incidentit po bëhet më e qartë në çdo orë që kalon”.
“Ekipet janë duke i marrë në pyetje viktimat në spitalin ‘Pirogov’. Vetëm dy prej tyre janë në gjendje adekuate, pesë të tjerët janë në gjendje shoku ose në reanimacion, edhe pse jo në gjendje të rëndë. Pritet ekspertiza komplekse mjeko-ligjore. Një dëshmitar ka dëgjuar një shpërthim, por nuk është e qartë se nga ka ardhur – nga brenda fluturimit apo nga përplasja me parmakun. Në autobus ka qenë një shofer i dytë. Supozohet se ai nuk është në mesin e të mbijetuarve”, ka deklaruar ai.
Për momentin, në Maqedoninë e Veriut nuk do të mbahet asnjë procedurë paragjyqësore paralele. “Hetimi do të kryhet vetëm në Bullgari”, ka thënë zëdhënësja e prokurorisë bullgare, Siika Mileva.
Të paktën 45 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë gjetur vdekjen në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë.
Në mesin e viktimave të aksidentit të sotëm ka edhe fëmijë.
Shtatë të mbijetuar po trajtohen ndërkohë në spitalin e kryeqytetit bullgar, Sofje, si pasojë e djegieve, ka thënë Nikolai Nikolov nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë për televizionin “BTV”.
Në autobus besohet të kenë qenë mbi 50 persona.