Drejtuesit e FFK-së takime të njëpasnjëshme në Romë
Ka filluar Kongresi i UEFA-s, presidenti Ademi takoi Infantinon dhe shumë homologë
Sot në Romë ka filluar Kongresi Zgjedhor i UEFA-s, në të cilin po marrin pjesë kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu.
Para nisjes së punimeve të këtij kongresi, kryetari Ademi ka takuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, ku në një bisedë tejet miqësore diskutuan për projektet që kanë të bëjnë me futbollin e Kosovës si dhe për vizitën e Infantinos në Kosovë.
Kryetari i FFK-së ka takuar edhe presidentin e Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB) Reinhard Grindel, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen dhe bashkëpunimin e frytshëm në shkollimin e kuadrove të trajnerëve, por edhe për thellimin e bashkëpunimit në projekte tjera. Gjithashtu, Ademi ka takuar presidentin e Federatës së Futbollit të Rumanisë, Razvan Burleanu, ku janë shkëmbyer urimet e ndërsjella për sukseset e ekipeve kombëtare, duke qenë se Kosova dhe Rumania janë kombëtaret e vetme që nuk kanë pësuar humbje në 19 muajt e fundit.
Para punimeve të Kongresit, kryetari Ademi së bashku me presidentin e FSHF-së, Armand Duka kanë takuar edhe presidentin e Federatës kroate, Davor Shuker dhe atë të Ishujve Faroe, Christian Andreasen. Të rikujtojmë se në zgjedhjet për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s kandidat është edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.