Drejtuesit e FFK-së takohen me përzgjedhësin Nees
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu kanë zhvilluar sot takim me përzgjedhësin e Përfaqësues U21, Michael Nees.
Gjatë këtij takimi u bashkëbisedua rreth përgatitjeve të Përfaqësues U21 për dy miqësoret e këtij muaji në Doha të Katarit.
“Kryetari Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Salihu i ofruan mbështetje maksimale përzgjedhësit Nees, që përkundër situatës së rëndë me pandeminë të realizohen këto miqësore dhe ai të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët që synon në grumbullimin e tij të parë si përzgjedhës i Përfaqësues U21. Po ashtu, u diskutua edhe për stafin teknik të Përfaqësues, i cili do të kompletohet gjatë ditëve në vazhdim”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Përfaqësuesja U21 do të udhëtojë më 21 mars në Doha, derisa miqësoret do t’i zhvillojë më 26 dhe 29 mars. Ky grumbullim do të jetë një mundësi e mirë për përzgjedhësin Nees për ta përgatitur sa më mirë ekipin për ciklin e ri kualifikues që nis në qershor.
/Epoka e re/