Drejtuesit e FHK-së zhvillojnë takim me presidentin e IHF-së, Hassan Moustafa
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci, të premten janë pritur në takim nga presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), Hassan Moustafa.
Sipas njoftimit të FHK-së, takimi i mbajtur në selinë e presidentit Moustafa në Bazel ishte miqësor dhe shumë produktiv.
“Presidenti Moustafa ka folur për afërsinë dhe respektin që ka për FHK-në dhe Kosovën në përgjithësi. Ka thënë se ka simpati për popullin shqiptar dhe se e çmon traditën e hendbollit në Kosovë. Gjatë takimit presidenti Moustafa dhe drejtuesit e FHK-së janë pajtuar për organizimin e ‘IHF Trophy’ në vendin tonë dhe për ta shqyrtuar mundësinë që në vendin tonë të organizohet një botëror për grupmoshën U19 apo U21”, thuhet në njoftimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Në këtë takim u diskutua edhe për avancimin e gjyqtarëve të Kosovës në kategorinë IHF, avancimin e shkollimit të trajnerëve dhe projekte të tjera që janë në planet e të dy federatave. Në përgjithësi takimi ishte shumë konstruktiv dhe konfirmon raportet e shkëlqyera të FHK-së me IHF-në dhe presidentin Moustafa.