Drejtuesit e KOK-ut pjesë e seminarit të 43-të në Paris
Për dy ditë me radhë në Paris të Francës, po mbahet seminari i 43-të i Komitetit Olimpik të Evropës (EOC), në të cilin u diskutuan çështje të ndryshme.
Krahas udhëheqësve të 48-të Komiteteve Olimpike Kombëtare, KOK-un po e përfaqësojnë presidenti Ismeti Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti.
Sekretari i përgjithshëm i EOC-ut, Raffaele Pagnozi, foli për rëndësinë që ka integrimi i ekipit të refugjatëve të EOC-ut, i cili do të debutojë në Lojërat Evropiane Krakow dhe Malopolska 2023
Ai bëri një përditësim të agjendës strategjike 2030 të EOC-ut, pas rekomandimeve të marra nga komisionet përkatëse.
Organizimi i LE 2023, EYOF-it Veror Maribor 2023, si dhe Lojërave Olimpike Paris 2024 dhe Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, ishin pjesë e diskutimeve, duke konstatuar se organizimi i tyre po shkon sipas planit të paraparë, sikurse Lojërat Botërore në Rërë Bali 2023, për të cilat raportoi sekretarja e përgjithshme e ANOC-ut, Gunilla Lindberg.
Meqenëse, seminari po mbahet në qytetin mikpritës të LO Paris 2024, drejtuesit e KOK-ut, së bashku edhe me drejtuesit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe vendet tjera të Ballkanit, janë pritur në zyre nga presidentja e Komitetit Olimpik të Francës, Brigitte Henriques.
Me presidenten Henriques, palët diskutuan tema të ndryshme të bashkëpunimit, veçanërisht pas memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në Prishtinë, mes KOK-ut, KO të Francës, KOKSh-t, KO të Maqedonisë së Veriut dhe KO të Malit të Zi.