Drejtuesit e KPM-së dhe AMA-s vizitojnë Departamentin Amerikan të Shtetit
Një delegacion i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) dhe Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) është duke zhvilluar një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përfaqësuesit e dy autoriteteve rregullatore nga Kosova dhe Shqipëria, të kryesuar nga kryetarët Xhevat Latifi dhe Armela Krasniqi kanë zhvilluar një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASh), ku janë pritur nga Martin McDowell, drejtor i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Juglindore.
“Dinamika e zhvillimeve në të dy autoritetet rregullatore, si dhe sfidat me të cilat ato përballen, u prezantuan gjatë takimit, ku u vu theksi më shumë tek garantimi i lirisë së medias dhe konkurrencës së ndershme në transmetimet audio/audiovizive, por edhe duke përmendur dhe përpjekjet që bëhen për të evituar fenomenet e çrregullimit informativ, më shumë në formën e dizinformimit apo propogandës.
Të gjitha përpjekjet bëhen edhe më imperative duke patur parasysh luftën në Ukrainë dhe dezinformimin që është permanent si kërcënim për të gjithë shoqëritë demokratike. Sektori audiovizual u konsiderua si një hapësirë ku mund të bashkëpunohet me institucionet homologe apo subjekte të ShBA-së për të ndikuar dhe mbështetur projekte të përmirësimit të cilës dhe shumëllojshmërisë së përmbajtjeve të transmetuara, si dhe rritjes së standardeve të rregullimit të operatorëve të licencuar në treg”, ka njoftuar KPM-ja.
Sipas këtij njoftimi, drejtori Mcdowell duke falënderuar të dy kryetarët për punën që kryejnë institucionet rregullatore në Kosovë dhe Shqipëri, ka përcjellë përshëndetjet nga Grabriel Escobar, zëvendësndihmëssekretar i Zyrës për Çështje Evropiane dhe të Euroazisë.
“Escobari për shkak të një agjende pune në rajon nuk mundi të përshëndeste personalisht delegacionet e AMA-s e KPM-së. Takimet e përfaqësuesve nga KPM-ja dhe AMA-ja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë”, ka njoftuar KPM-ja.