Drejtuesit e KRU “Prishtina” dhe ata të Postës pajtohen për zgjerimin e bashkëpunimit
Përfaqësuesit e Postës së Kosovës janë takuar të hënën me zyrtarë të lartë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a.
Në këtë takim i cili është mbajtur në zyrat e KRU “Prishtina” të pranishëm kanë qenë kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompani, Ilir Avdullahu, dhe zyrtari kryesor financiar Sokol Duraku, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës Sejdi Hoxha, zyrtari kryesor financiar i Postës, Behxhet Maliqi dhe drejtori i departamentit të shitjes, Bashkim Mustafa.
Gjatë këtij takimi është biseduar për përmirësimin e kualitetit të shërbimeve për konsumatorët të cilët janë pjesë e pandashme dhe shumë e rëndësishme për të dy ndërmarrjet publike.
Me qëllim të bashkëpunimit më të madh dhe me qëllim të përkrahjes së Postës së Kosovës, zyrtari kryesor financiar në KRU “Prishtina”, Sokol Duraku, ka thënë se kjo kompani është e gatshme që ta përkrahë Postën e Kosovës.
Ai ka thënë se kanë marrë vendim të përbashkët që në faturat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit të postohet llogaria e Postës së Kosovës, gjithnjë në shërbim të konsumatorit duke u munduar që t’ua lehtësojnë punën e pagesave për këto shërbime.
Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Ilir Avdullahu, dhe ai i Postës, Sejdi Hoxha, kanë thënë se janë të gatshëm të zgjedhrojnë fushën e bashkpunimit në mes të këtyre dy kopanive.
“Do të jemi të gatshëm që të zgjerojmë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera në mënyrë që qytetarëve tanë t’ju ofrojmë shërbime sa më afër vendbanimeve të tyre dhe të njejtat të jenë sa më efikase”, kanë thënë Avdullahu e Hoxha.
/Epoka e re/