Drejtuesit e LV-së takohen me delegacionin e parlamentarëve danez
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, bashkë me kandidatët për deputetë, Avni Zogianin, Yllza Hotin, Fitore Pacollin dhe Vlera Gjakovën kanë mirëpritur një delegacion të gjerë ish-anëtarësh të parlamentit e qeverisë daneze nga shumica e partive daneze si dhe gazetarë prej andej.
Delegacioni danez po e viziton Kosovën si pjesë të një vizite studimore në Ballkan.
Kryetari Kurti me kandidatët për deputetë u shpjegoi delegacionit danez se si e mendon situatën në rajon Lëvizja, se si do të duket qeveria e pas zgjedhjeve të 6 tetorit, se si do ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe se si e mendon LV-ja integrimin e qytetarëve të komunitetit serb përmes dialogut të brendshëm për zhvillim ekonomik.
Po ashtu, edhe ndaj interesimit të delegacionit për ndërtimet e shumta në Kosovë, kryetari Kurti ka shpjeguar se në çfarë gjendjeje të rëndë është Kosova prej mafias së ndërtimit dhe shtetit të dobët në mbikëqyrjen e ndërtimeve dhe ndalimin e atyre të paligjshme.
/Epoka e re/