Drejtuesit e veriut, kundër përjashtimit të 4 komunave nga shtrenjtimi i rrymës

30 prill 2025 | 08:14

Nga 1 maji 2025, qytetarët e Kosovës do të paguajnë 16.1% më shumë për energjinë elektrike. Vendimi u mor më 16 prill nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), pavarësisht reagimeve dhe protestave të qytetarëve.

Por kjo rritje nuk do të zbatohet në veri të vendit, ku jeton shumica serbe. Në katër komunat veriore, furnizimi dhe faturimi nuk bëhet nga KESCO, por nga kompania serbe Elektrosever, e licencuar në vitin 2022 në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.

ZRRE sqaron se nuk përcakton tarifat për Elektroseverin, pasi kjo kompani operon në bazë të një marrëveshjeje të veçantë dhe ka autonomi në caktimin e çmimeve për konsumatorët që i furnizon. Megjithatë, ajo detyrohet të paguajë tarifat për përdorimin e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes, ashtu si çdo furnizues tjetër në vend.

Nexhat Uglanin, Kryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, ka reaguar kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar të padrejtë mos përfshirjen e komunave veriore në këtë proces.

Uglanin ka theksuar se mos shtrenjtimi I  tarifave  në veri është një hap i gabuar, pasi ai beson se komunat veriore duhet të jenë të barabarta me pjesën tjetër të Kosovës në lidhje me sistemin energjetik.

‘’Mos rritja e tarifës për komunat veriore është gabim shumë i madh, sepse ne duhet të jemi në sistem të Republikës së Kosovës baraz me qytetarët tjerë. Ne si kuvend komunal nuk kemi biseduar me Elektroserverin, mirëpo ata kanë dalur me një njoftim përmes mediave që pjesët veriore nuk I përfshin ngritja e tarifës së rrymës’’, deklaroi Uglanin.

Kryetari i Komunës së Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri është deklaruar për FrontOnline lidhur me mos  shtrenjtimin e rrymës ne veri. Ai tha se për komunat veriore kjo rritje nuk qëndron sepse furnizimi bëhet përmes një marrëveshjeje mes KEDS-it dhe Elektroserver.

“Nuk vlen për komunat veriore, përfshirë edhe Zubin-Potokun, sepse furnizimi atje bëhet përmes marrëveshjes mes KEDS-it dhe Elektroseverit,” tha Zeqiri.

Ai  vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë, e  ka quajtur të pakuptimtë dhe të padrejtë.

“Kjo rritje e rrymës është shumë e pakuptimtë. Elektroseveri ka konfirmuar se nuk do të ketë shtrenjtim në veri – por realisht, nuk është dashur të shtrenjtohet askund,” deklaroi ai.

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, deklaroi se edhe pse ende nuk e ka analizuar plotësisht vendimin për mos përfshirjen  komunave veriore në ngritjen e çmimit të rrymës e konsideron atë të padrejtë.

“Nuk e kam vlerësuar totalisht, mirëpo mendoj që është vendim i padrejtë,” u shpreh shkurt Peci

Ferat Shala, deputet i PDK-së,  ka deklaruar se vendimi për përjashtimin e komunave veriore nga shtrenjtimi i tarifave është një hap i padrejtë. Sipas Shalës, ky veprim është një shkelje e parimeve elementare njerëzore, duke theksuar se kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Kosovës.

‘’Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë tonë dhe është shkelje e çdo parimi njerëzor ‘’, tha Shala

Shala ka shtuar se Qeveria “Kurti” dhe mekanizmat e saj po e bëjnë këtë, çka Shala konsideron se  është një shkelje e ligjit dhe e të drejtave të qytetarëve.

‘’Kjo është pabarazi  e radhës që qytetarëve të Kosovës qeveria Kurti dhe mekanizmat  saj po e bëjnë këtë dhe parimisht kjo është edhe shkelje e ligjit dhe parimeve elementare njerëzore’’, deklaroi Shala

Luan Hasanaj, organizator i grupit “Asnjë Cent më Shumë”, ka reaguar  ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për  përjashtimin e katër komunave veriore nga  rritja e çmimit të rrymës  si një diskriminim të hapur ekonomik.

‘’Përjashtimi i katër komunave veriore nga ky vendim përbën diskriminim të hapur ekonomik’’, tha Hasanaj.

Hasanaj ka thënë se ky trajtim i pabarabartë cenon parimin e barazisë para ligjit, duke shtuar se përjashtimi i veriut dëmton besimin në institucione dhe krijon ndasi mes qytetarëve. Ai gjithashtu ka theksuar se ky vendim minon përpjekjet për ndërtimin e një shteti të drejtë për të gjithë

‘’Përjashtimi i katër komunave veriore cenon parimin e barazisë para ligjit. Ky trajtim i pabarabartë dëmton besimin në institucione, krijon ndasi mes qytetarëve dhe minon përpjekjet për ndërtimin e një shteti të drejtë për të gjithë’’, deklaroi Hasanaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBAShK)…