Drejtuesit e Vetëvendosjes takojnë përfaqësuesit e delegacionit britanik, flasin për dialogun
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, i shoqëruar nga shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca dhe deputetet Saranda Bogujevci e Fitore Pacolli, ka pritur në takim delegacionin nga Mbretëria e Bashkuar të kryesuar nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Foreign Office, Andrew Page, Susan Laffey drejtuese e Sektorit të Analistëve, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, dhe Samuel Paice Sekretar Politik në ambasadë.
Kurti e njoftuar zyrtarin Page për zhvillimet e fundit në Kosovë me fokus të veçantë situatën socioekonomike, mungesën e zhvillimit ekonomik, nivelin e lartë të papunësisë sidomos tek gratë dhe të rinjtë, nevojën për reformim të sistemit të drejtësisë dhe nevojën shumë të madhe të lidhjes së sistemit edukativ me ekonominë.
Në anën tjetër Page ka treguar interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’i ndihmuar Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik përmes përkrahjes së ndërmarrësisë tek të rinjtë me interes të veçantë në fushën e shkencave kompjuterike dhe dixhitalizimit si dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë që ata të mos largohen nga vendi.
Po ashtu Page ka njoftuar për dyfishimin e fondeve që ndanë Mbretëria e Bashkuar për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe dyfishimin e ekspertëve për të ndihmuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e krimit kibernetik.
Ndër çështjet që janë diskutuar në këtë takim kanë qenë edhe Procesi i Berlinit, të arriturat dhe fushat ku duhet fokusuar në të ardhmen ku kryetari Kurti ka sugjeruar se Procesi i Berlinit duhet të iniciojë një fond për zhvillim ekonomik të ngjashëm për Ballkanin siç ishte Plani i Marshallit për Evropën me fokus të veçantë në qytetet e ndara.
Sa i përket dialogut më Serbinë Page ripërsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar e cila është kundër iniciativës për ndryshimin e kufijve.
Ndërsa Kurti ka ritheksuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje për një dialog të hapur nga poshtë-lartë për zhvillim si mënyrë për integrim e përparim.
/Epoka e re/